E hënë, 20 Shkurt 2017
Përshtypjet e para të shumë njerëzve ndaj studentëve të gazetarisë janë vërtetë demotivuese për ushtruesit e rinj të këtij profesioni. Përceptimet për këtë nocion, në një shoqëri të tillë si ajo kosovare, lidhen me praktika jorelevante me gazetarinë dhe devijime nga parimet e saj, të cilat, edhe pse janë prezente, nuk i referohen rregullave dhe detyrimeve që ka gazetaria realisht. Në rrethin shoqëror tashmë janë bërë pothuajse sinonime të gazetarisë fjalët “punë të hallkut”, “rrenë”,”shpifje”,”shantazhe”,”interes”,”tallje” etj. Si lloje të devijimit, të gjitha mund të ndodhin në gazetari, por aspak të vishen si tipare të këtij profesioni.
Megjithatë, mënyrat janë të shumta për ta shpjeguar rolin dhe ndikimin e madh që ka një gazetar në shoqëri, duke filluar nga teoritë bazë të studiuesve e deri te ngjarjet që pa prezencën e gazetarëve nuk do ta kishin të njëjtën rrjedhojë dhe të njëjtën influencë. Por, njëra nga mënyrat mund të jetë qysh në morfologjinë e fjalës “gazetar”. Tri shkronjat e para të kësaj fjale flasin shumë lidhur me këtë profesion: gaz-etar. GAZ!
Për ta formuar një mendim të drejtë, duhet të merret parasysh se gazetarët që ua servojnë informatat lexuesve, përveç tjerash, kalojnë edhe nëpër nja tri “gaze”, që në fund t’i japin punës së tyre kuptimin e plotë të nocionit që e shpreh atë.
1. Gazi i parë – është përshtypja më e shpeshtë që e kanë njerëzit për gazetarinë. “Ju jeni për m’i bo gaz të tjerët!”. Gazetarët, që ndoshta jo në kuptimin radikal të shprehjes, e kanë për detyrë të zbulojnë veprimet e njerëzve të çfarëdo kategorie, që janë në kundërshtim me ligjet dhe që ua cënojnë liritë dhe të drejtat e të tjerëve. Ky “gaz” le të paralelizohet me ndershmërinë e gazetarit që t’i vendosë në pah keqpërdorimet dhe parregullsitë që ndodhin nga njerëz me pushtet. Nga ky “gaz” pikërisht ruhen më së shumti udhëheqësit. Po të mos ishte gazi i gazetarëve, ata do të bënin shumë gjëra në favor të vetin në mënyrë shumë të lirë dhe pa u penguar nga askush. Kjo automatikisht lidhet me guximin si pjesë e profilit të një gazetari të suksesshëm, siç e quan profesor Milazim Krasniqi. Përballë kërcënimeve, akuzave në njërën anë, dhe të vërtetës në anën tjetër, gazetari kalon nëpër këtë “gaz” që të jetë sa më profesional.
2. Gazi i dytë – ka të bëjë me dinamikën e punës së një gazetari në raport me ngjarjet që zhvillohen brenda vendit. Në një kuptim figurativ, gazetarin mund ta krahasojmë me një veturë të cilës shoferi, në këtë rast koha, i jep vazhdimisht gaz që të lëvizë sa më shpejt. Gazetari i sotëm, duke marrë parasysh zhvillimin teknologjik dhe shpejtësinë e informacioneve, është personi më aktiv në hap me kohën. Të gjithë i kërkojnë informacionet në kohë të saktë, por gazetari është ai që i jep “gaz” vetes që ta plotësojë këtë kërkesë të publikut.
3. Gazi i tretë – lidhet ngushtë me mushkëritë e reporterëve nëpër protesta dhe luftëra. Jo rrallëherë protestat eskalojnë në nivele të dhunës, ku hidhen mjete të ndryshme që përmbajnë gazra të dëmshëm për shëndetin e njeriut. Gazetarët, si persona neutralë në ato protesta duke mos i takuar as palës protestuese e as palës së kundërt, për hir të informimit të publikut dëmtohen fizikisht dhe iu ndodh të thithin gazra. Në vitin 2011, gazetari Richard Casula nga Hondurasi, u plagos në fytyr nga gazi lotsjellës përderisa ishte duke raportuar mbi një protestë të mësimdhënësvve në kryeqytetin Tegucialpa.
Të trija këto “gaze” së bashku janë pjesë përbërëse të pandashme të punës së gazetarëve. E në anën tjetër, përshtypjet e gabuara ndaj profesionit të gazetarisë e zbehin besueshmërinë që gëzon ajo tek njerëzit, që pastaj do të kishte pasoja të rënda. Rëndësia e saj duhet të njihet dhe të vlerësohet ashtu siç e meriton. Gjithmonë, prapa një informacionit që ne e lexojmë ekziston një punë e lodhshme e një gaz… gaz… gaz… gazetari!
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Haris Ademi, Opinione