Gërmimet për personat e zhdukur nisin javën e ardhshme


E premte, 24 Korrik 2015

gerfdsv

Marrëveshja mes Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe kompanisë “Loti” e cila do t’i realizojë gërmimet në terren për personat e zhdukur, tashmë është nënshkruar.

Kjo marrëveshje është vlefshme për tri vjet. Kjo kontratë është nënshkruar dje.

Tashmë janë bërë planifikimet dhe qysh javën e ardhshme pritet të fillojë puna në terren. Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë se gjithçka është bërë brenda afateve ligjore, veçse problemi ka qenë se vetëm një apo dy kompani që kanë konkurruar kanë poseduar ekskavatorë, e shumë kompani kanë aplikuar pa i plotësuar kriteret.

Në një intervistë për KosovaPress, Gërxhaliu thotë procesi i gërmimeve nuk është duke u zvarritur, por po punohet. Madje, sipas tij, është shfrytëzuar edhe kjo kohë, që të shtjellohen informata rreth lokacioneve në terren.

“Zakonisht kontrata kur të lidhet,ajo zgjat 3 vjet. Ne me kohë, brenda afateve ligjore kemi bo kërkesat…..Dje është firmosur kontrata e njëjtë. Menjëherë brenda ditës së djeshme dhe të sotme ne e kemi bërë planifikimin dhe që nga java e ardhshme me ekspertë të EULEX-it do të dalim në teren. Janë detektuar dy lokacione ku do të dilet dhe menjëherë do të fillojmë punën në terren. Procedurat ligjore kanë qenë të tilla dhe nuk kemi mundur do të thotë të dalim”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu shpjegon se planifikimin e gërmimeve do ta bëjnë javor, pasi që në ndonjë lokacion mund të mbesin edhe me muaj të tërë, siç ishte ai i Rashkës.

Por ai sqaron se krejt këto përgatitje për terren po marrin kohë. Megjithatë, pohon se Departamenti që ai udhëheqë është i përgatitur që çdo minutë të dalë në terren.

“Jemi të përgatitur çdo minutë me dal në terren. Kemi marr edhe 5 vetura për terrene të vështira, donacion nga EULEX-i. Jemi kompletuar me mjete, jemi të gatshëm në çdo minutë por ju thash se edhe qasja në terren është paksa, se duhet të njoftohen edhe disa organizata, duhet të njoftohet edhe Kryqi i Kuq dhe disa organizata tjera, Policia e Kosovës, hetuesit, krejt kjo të qitet në letër dhe ne i përgjigjemi vetëm prokurorit të shtetit”, thotë ai.

Por, problem sipas drejtorit të Deparatamentit të Mjekësisë Ligjore është përgatitja teknike-profesionale në nivel shteti.

Këtu ai përmend faktin se për 16 vjet shteti i Kosovës nuk ka arritë të përgatisë një laborator adekuat për mbetje kockore.

“Ta them me plotë të drejtë se Kosova nuk ndodhet tani në një pozicion ku mungojnë mjetet për punë. Kemi teknologji shumë të mirë por faktorin njeri nuk e kemi. E faktori njeri do një trajnim paksa më të gjatë. Trajnime një javore jashtë shtetit nuk mundesh me krijuar kuadër se ne nuk kemi laboratore të cilat e kanë krijuar një bazë të ekspertëve dhe pastaj këta ekspert të jenë të gatshëm me prodhuar njerëz të rinj, ekspertë të rinj”, thotë ai.

Gërxhaliu njofton se tashmë kanë bërë edhe detektimin e disa lokacioneve, madje edhe të një rasti specifik. Por, për këtë, presin që ministri i Drejtësisë ta procedojë në Qeveri, pasi që çka është jashtë planifikimit kërkon kosto financiare.

Ndërsa, për gërmimet në veriun e Mitrovicës, Gërxhaliu thotë se është pak më problematike sepse aty vijnë rregullat e EULEX-it sa i përket çështjes së sigurisë. Megjithatë, ai shpreson që të gjitha vendet e dyshuara do të kontrollohen.

Gërmimet do të nisin javën e ardhshme dhe do të realizohen brenda territorit të Kosovës.

Të fundit