Gjakmarrja në Bjeshkët e Nemuna


E hënë, 19 Janar 2015

gjakmarrja-n-euml-bjeshk-euml-t-e-nemuna_hd

Në një mëngjes të freskët shtatori në qytetin verior të Shqipërisë, në Shkodër, hipa në një minibus me të cilin udhëtonin malësorët shqiptarë. Me traget kalova mes Liqenit të Komanit – një udhëtim që për shumëkënd konsiderohet si më panoramiket në botë.
Fiks në orën 7:15 të mëngjesit ishim 12 pasagjerë në automjetin që zinte veç 10 persona. Shoferi vazhdimisht ndalej për të marrë pasagjerë të tjerë, secili më i ngarkuar se tjetri. Valixhet tona nxinin hapësirën mes karrigeve, duke u bërë kështu ulëse për pasagjerët e tjerë.

Këta autobusë të vegjël, të quajtur furgonë, janë rrangalla të periudhës së komunizmit, kur ishte e ndaluar të kishe një veturë tënden. (Shqipëria për herë të parë legalizoi veturat private në vitin 1991. Të ngjashëm me veturat kolektive në Meksikë dhe ato të Tailandës, furgonët për biletë që kushton se një sandviç mund të dërgojnë udhëtarët në çdo cep të Shqipërisë, transmeton Koha.net.

Ky udhëtim i veçantë prej 55 kilometrash ishte fillimi i serisë së ekskursionit me furgon që të shpinte në thellësinë e Alpeve Shqiptare, ndryshe të quajtura si Bjeshkët e Nemuna – pjesë jo fort e vizituar nga turistët e huaj. Pas një copë rruge, plani ishte që të hipnim në një anije dhe të lundronim për tri orë në Liqenin e Komanit dhe të vazhdonim drejt Fierzës. Më pas, për dy orë do të udhëtonim me furgon nja 42 kilometra për në Valbonë, një vend malor që shtrihet në trekëndëshin midis Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi, shkruan “Koha Ditore”.

Ky rajon i Alpeve Shqiptare, i quajtur Malësi, ofron pamjet e Evropës së egër, me ujq, arinj dhe majat e mbuluara me borë. Të mos përmend edhe malësorët, një komunitet malor që mikpritja e tyre legjendare u ka mbijetuar shekujve shkaku i kodeve, ngjashëm si gjakmarrja që është e zakonshme këtejpari. Por gjetja e rrugës për në këtë vend ishte më e vështirë sesa menduam para se të niseshim.

“Është një rrugë e gjatë për të arritur deri atje”, tha bashkudhëtari im Nicola Chilton, që nga dritaret e avulluara të furgonit po shkrepte fotografi të maleve përrallore.

Kur arritëm te Liqeni i Komanit, një fushë që ishte mbushur me ujë nga qeveria komuniste në vitin 1978 për të krijuar hidrocentralin, po prisnin dy anije: Njëra ishte një anije e bukur për turistë që nuk ndalej, ndërsa tjetra ishte një anije si autobus që ndalej në çdo fshat që gjendej përreth dhe kryesisht ishte për malësorët e asaj ane.

Gabimisht bleva biletë për anijen e dytë. Iu bashkova një grupi çiklistësh rusë dhe çekë që mbanin pantallona të shkurtra me mbishkrime cirilike. Ky ishte zhgënjimi i parë në këtë udhëtim, transmeton Koha.net.

Liqeni, larg nga reputacioni i Alpeve, ishte tmerrësisht i ndotur. Barka jonë vazhdimisht ndeshej me mbeturina të plastikës, si shishe të ujit, sandale dhe konopë.

“Do një birrë?”, më tha Chilton, që ishte në mesin e pasagjerëve çekë të cilët dëgjonin muzikë techno. “Është ora dhjetë e mëngjesit”, i thashë unë derisa po shikoja bërllokun në liqe. “Përse nuk do”?

Me padurim për të lënë prapa këtë përvojë të tmerrshme, Chiltoni dhe unë hipëm në një furgon sapo arritëm në Fierzë. Furgonin e voziste shoferi malësor, Arturi. I vendosur për të na vozitur në rrugët e pashtruara, gjatë rrugës u ndal disa herë për të lënë thasët me mëlmesa nëpër tavernat e kësaj treve.

Ndryshe prej shoferëve që i takuam në Kroaci, Mal të Zi dhe në Bosnjë, Arturi ishte i buzëqeshur dhe shpesh ndalte autobusin për të na treguar malet që shihnim, transmeton Koha.net. Ishte e qartë se nuk takonte turistë të huaj, sepse anglishtja e tij ishte e tmerrshme dhe shpesh nuk mund të thoshte emrat e vendeve nëpër të cilat kalonim. Entuziazmi i tij ishte infektues dhe bukuria e peizazheve ishin të pakrahasueshme sepse ne po shihnim ujëvara e ura prej guri. Fermat e vogla të fshatit me mullarë sane më kujtonin botën e vjetër të Transylavnias.

Gjatë rrugës pamë një grua me një shami që u përkul për të fshirë oborrin dhe një burrë duke punuar në fushë. Arturi u fishkëlleu dhe ua bëri me dorë. Secilën herë ata buzëqeshën dhe ia kthyen përshëndetjen.

Shumë malësorë ende i përmbahen Kanunit të Lekë Dukagjinit, një përmbledhje ligjesh e zakonesh tradicionale shqiptare që vinin nga traditat e lashta të Ilirisë. Ato u jetësuan në shekullin XV dhe u ringjallën në vitet ’90 pas rënies së komunizmit.

Kanuni ka katër pjesë: Nderi, mikpritja, sjellja dhe besa. Ligjet aplikoheshin nga shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Në këtë pjesë të Shqipërisë shihej mikpritja e pabesueshme. Këtë e vërejta edhe një natë vonë kur humba rrugën për te dhoma ime dhe një banor i Valbonës ndali veturën e tij. Në orën 01:00 pas mesnate më voziti deri te hoteli ku po qëndroja pasi zbuloi se humba në një fshat tjetër. Mëngjesin tjetër, trokitëm te dera e shtëpisë fqinje për të pyetur nëse na iku furgoni. Një djalosh telefonoi vozitësin dhe qëndroi me ne derisa erdhi ai. Ka një ngrohtësi që vërehet shpejt nga turistët e huaj.

Përveç vlerave demokratike dhe humane për të shprehur mikpritjen e madhe të shqiptarëve, disa pjesë të Kanunit kanë qenë burim i mosmarrëveshjeve mes tyre. Më e famshmja është gjakmarrja, një zakon që kërkonte nga një burrë të bënte vrasje për të shpëtuar nderin e humbur nga një vrasje tjetër apo poshtërim moral. Edhe nëse vritej një mik (kjo gjë nuk ndodh shpesh, sepse Shqipëria është e sigurt), mikpritësi duhej të merrte hak për vdekjen e tij apo të asaj. Vlerësohet se vetëm në vitin 2014 rreth 3 mijë familje shqiptare ishin të përfshira në gjakmarrje, transmeton Koha.net.

Kanuni është interpretuar në mënyra të ndryshme, të cilat shpien në mosmarrëveshje se cili ishte kuptimi i vërtetë i gjakmarrjes (ngjashëm si amendamenti i dytë i Kushtetutës së ShBA-së: e drejta për të mbajtur armë). Gjakmarrja ka disa rregulla të civilizuara, siç është ndalimi i vrasjes së fëmijëve, grave dhe të moshuarve. Ka shumë mënyra për të parandaluar gjakmarrjen nëpërmjet Kanunit – siç është kompensimi me para, për shembull. Por ka shumë raste që gjakmarrjet kanë ndarë familjet dhe kanë izoluar shumë njerëz.

Nuk mund të paramendoja ndonjë lloj të gjakmarrjes kur arrita te Quku i Valbonës, njëra nga bujtinat në Valbonë. Fshati ishte pa të meta, piktoresk dhe malor. Era e bimëve dhe djegia e pyllit prishte ajrin e pastër. Nuk mund të ecja as edhe një hap pa dëgjuar cicërimat e zogjve apo pa parë ndonjë flutur. Në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, një hapësirë prej 8 mijë hektarësh, ka shumë lloje lulesh, së paku 145 soj zogjsh dhe tufa të shëndetshme ujqërish, arinjsh dhe macesh të egra. Si është e mundur që një bukuri e tillë natyrore të ketë edhe veti hakmarrëse?

Përtej ringjalljes së Kanunit, rënia e komunizmit – dhe veçanërisht shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991 – kanë ndikuar në mënyra të ndryshme në Malësi. Banorët thonë se Qeveria në Tiranë ka ndihmuar shumë pak komunitetet malore, që ndihet e margjinalizuar në kohën kur shteti po modernizohet, transmeton Koha.net. Ata thonë se ndihmat financiare të Bashkimit Evropian zhduken pa asnjë gjurmë para se të arrijnë në këto treva ndërsa programet e organizatave joqeveritare fokusohen më shumë në problemet urbane në jug të vendit. Ndotja e Liqenit të Komanit, për të cilin Qeveria shqiptare bën shumë pak, është shembulli më i mirë sesi kjo pjesë është e izoluar dhe e braktisur, transmeton Koha.net.

Por rrjedhat mund të ndryshojnë me qeverinë e re të kryeministrit Edi Rama. Në korrik të vitit 2014, Malësia ishte ftuar të merrte pjesë në planifikimin e ri të “Parkut shqiptar të Alpeve” që do të bashkojë Valbonën me fshatin fqinj Thethin dhe Luginën e Gashit, e të tria këto deri në vitin 2016 do të kenë rreth 30 mijë hektarë hapësirë. Ky bashkim do t’u japë më shumë fuqi komuniteteve brenda parkut. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë për grupet e interesit që të zhvillojnë këtë pjesë pa pasur leje.

“Jashtë Tiranës nuk ka shumë inovacion për shumë arsye të forta – kjo madje është një shoqëri pastraumatike, edhe njerëzit e mirë janë të interesuar që të marrin çdo gjë për vete në vend që të zhdukin çerdhet e korrupsionit”, thotë Catherine Bohne, bashkëpronare e bujtinave “Rezidenca” dhe “Rilindja” në Valbonë. Ajo më ofroi një gotë verë të kuqe të shtëpisë derisa u ulëm në verandën nën qiellin plot yje. “Nëse bashkë me partnerin tim Alfred Selimaj nuk do të luftonim për të angazhuar edhe banorët, është e qartë se ata do të trajtoheshin si fauna e Fushës. Askush nuk po i fton ‘ujqit dhe arinjtë’ që të menaxhojnë takimet dhe planet”.

Të fundit