E enjte, 27 Gusht 2015
Në një kamion të braktisur në Austri janë gjetur rreth 50 emigrantë të pajetë. Refugjatët e pajetë, të gjetur në autostradën A4, që lidh Hungarinë me Vjenën në Austri, një zonë e ndodhur ndërmjet lokaliteteve Neusiedl dhe Parndorf, sipas gazetës vendase “Krone”, duhet të jenë mbytur brenda mjetit që ishte parkuar në anë të rrugës prej të paktën dy ditësh.
Policia austriake njoftoi se të mërkurën tre trafikantë të qenieve njerëzore ishin arrestuar jo shumë larg vendit ku u gjet kamioni. Njëri prej tyre kishte transportuar me furgon përtej kufirit austriak të paktën 34 emigrantë, të cilët pas kësaj i kanë detyruar të zbresin përgjatë autostradës.
Në mesin e tyre kishte edhe 10 fëmijë. Refugjatët i thanë forcave të rendit sesi ishin ngjeshur në furgonin e vogël ku ishte “thuajse e pamundur të merrje frymë”. Ata rrëfejnë se për këtë arsye dhe i kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme drejtuesit të mjetit që të ndalonte, por ai e ka bërë veshin shurdh e nuk ka ndaluar deri në hyrjen në Austri.
Sipas “Krone”, policia austriake ka nisur një operacion të gjerë kërkimi të shoferit të kamionit, ku u gjetën trupat e të vdekurve.