Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Gjendje e mjerueshme në “Seravë” të Shkupit, banorët: Askush nuk erdhi të na ndihmojë [video]

Prizren Post | 11:45 - 08.08.2016

Shkup – Një ditë pas reshjeve të rrëmbyeshëm, të shoqëruara me vetëtima dhe frymë të fortë, ekipi i Portalbit ka vizituar banorët e lagjes “Seravë” të Komunës së Çairit të Shkupit, ku si pasojë e shirave, shumica e shtëpive janë mbushur me ujë, ndërkaq nëpër rrugët vërehen, njerëzit teksa po punojnë për t’i pastruar rrugët dhe shtëpitë, nga mbeturinat që i sollën vërshimet.

Portalb, vizitoi disa familje, shtëpitë e të cilëve, pas vërshimeve ishin në gjendje katastrofe, ndërkaq të shqetësuar për gjendjen, ata bënë apel deri te autoritetet që të angazhohen më tepër për t’u ndihmuar banorëve të kësaj lagje, që siç thonë ata “për shkak të kanalizimit jo-funksional, çdoherë kur bie shi shtëpitë mbushen me ujë”.

Edhe pse, nga Qyteti i Shkupit u njoftua se ekipet e Shtabit për siguri dhe shpëtim të qytetit të Shkupit intervenojnë për t’u pastruar rrugët e bllokuara nga reshjet e shiut, banorët ankohen se askush nuk u ka ardhur në ndihmë, madje siç thonë ata, edhe thirrjeve të tyre në numrat e emergjencës askush nuk u është përgjigjur.

“Katastrofë, ashtu siç e shihni edhe vetë. Uji na ka hyrë nëpër shtëpia dhe na ka shkatërruar gjithçka. Kjo ndodhë çdoherë kur ka të reshura. Njëjtë ndodhi edhe gjatë festës së Bajramit. Kanalizimi është jo-funksional, e kthen ujin dhe i gjithë na hyn nëpër dhomat tona. Apelojmë deri te autoritetet që të angazhohen për ta rregulluar çështjen e kanalizimit”, shprehen banorët e revoltuar duke theksuar se autoritetet nuk ndërmarrin kurrfarë masa për ta parandaluar, zbutur ose për t’i sanuar dëmet.

“Nuk është interesuar askush për asgjë. Kemi lajmëruar në numrat e emergjencës, por askush nuk është përgjigjur. Ka numër për kontakt, por kur thërrasim, nuk lajmërohen. Askush nuk na pyeti se si kaluat në këto vërshimet, si është situata, a mos ju duhet ndonjë ndihmë ose diçka tjetër. Këtu ka njerëz me ndihmë sociale. Tash këto dëmet si do t’i mbulojnë, kur ata mezi i sigurojnë mjetet për harxhimet e përditshme”, shprehen banorët.


Arivisti Company