E diel, 15 Qershor 2025
Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit në një përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
Wadephul, i cili është në një vizitë në Lindjen e Mesme, ka thënë se po përpiqej të kontribuonte drejt një uljeje tensionesh të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke vënë në dukje se Teherani më parë nuk kishte arritur të shfrytëzonte mundësinë e bisedimeve konstruktive, raporton Reuters.
“Shpresoj se kjo është ende e mundur,” i ka thënë Ëadephul transmetuesit publik gjerman ARD vonë të shtunën.
“Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë gati. Ne po i ofrojmë Iranit negociata të menjëhershme në lidhje me programin bërthamor, shpresoj që oferta të pranohet”, ka shtuar ai.
“Ky është gjithashtu një parakusht kyç për arritjen e zgjidhjes së këtij konflikti, që Irani të mos paraqesë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën”.
Wadephul, i cili po qëndron në Oman të dielën, ka deklaruar se konflikti do të përfundojë vetëm kur të ushtrohet ndikim mbi Iranin dhe Izraelin nga të gjitha anët.
Kur u pyet nëse besonte se qeveria iraniane mund të binte, Wadephul ka thënë se supozimi i tij ishte se nuk ishte qëllimi i Izraelit të rrëzonte administratën në Teheran. /koha