Gjermania po rikthen kontrollet në pikat kufitare


E shtunë, 23 Shtator 2023

BERLIN – Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser tani po bën thirrje për kontrolle të plota afatshkurtra të sigurisë në kufirin me Çekinë dhe Poloninë për të adresuar çështjen e migracionit.

Qëndrimi i Faeser u zbulua në një intervistë me welt.de, duke treguar një ndryshim në qasjen e Gjermanisë ndaj kontrollit kufitar.

Faeser thekson se këto kontrolle afatshkurtra do të shërbenin si një masë vendimtare për të luftuar kontrabandistët që shfrytëzojnë kufijtë e hapur midis Gjermanisë dhe vendeve fqinje.

Më parë, Faeser ka qenë kundër idesë së kontrolleve të plota në kufirin me Çekinë dhe Poloninë, duke i konsideruar ato joefektive. Gjatë debateve në fillim të kësaj vere në Bundestag, ajo kishte mbrojtur indenë e kontrolleve të rastësishme dhe kërkimeve të fshehta si opsione më të zbatueshme.

Megjithatë, në intervistën më të fundit me Welt am Sonntag, e cila do të shfaqet në edicionin e së dielës të gazetës, Faeser propozon kontrolle të plota si dhe vendosjen e oficerëve të policisë gjermane në territorin çek, duke u frymëzuar nga modeli zviceran ku një bashkëpunim i tillë tashmë është zbatuar. Ajo bëri të ditur se negociatat për këtë çështje tashmë janë duke u zhvilluar.

Për më tepër, Faeser njoftoi një grup pune të përbashkët çeko-gjerman, që synon të intensifikojë përpjekjet për të luftuar kontrabandën e njerëzve. Ky bashkëpunim do të përfshinte regjistrimin e përbashkët të kontrabandistëve të njerëzve dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit të rëndësishëm të sigurisë, së bashku me zgjerimin dhe intensifikimin e patrullimeve të përbashkëta./Telegrafi

Etiketa: ,
Të fundit