Gjykata dënon 4 policë të trafikut për ryshfet në Prizren


E hënë, 10 Dhjetor 2018

PRIZREN – Tre zyrtarët policorë Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Muzafer Sylejmani dënim me gjobë nga 4,000 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj ndërsa Binak Bytyçi mori dënim me gjobë 5.000 euro dhe dënim më burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh nga Gjykata Themelore në Prizren.

Por mbrojtësit e të akuzuarve i propozuan gjykatës që dënimi i shqiptuar në kohëzgjatje prej 6 muaj burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë.

Prokuroria Themelore e Prizrenit i ngarkonte të akuzuarit se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Të akuzuarit ngarkoheshin se këto para i kanë marrë nga shkelësit e rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Trupi gjykues në përbërje Ajser Skenderi, kryetare, dhe Luan Berisha e Kymete Kicaj, anëtarë, duke marrë parasysh propozimet e mbrojtësve aprovuan propozimet e avokatëve mbrojtës.

Meqë dënimi me burg u zëvendësua në gjobë, të akuzuarit Neshat Avdaj, Driton Bajrami e Muzafer Sulejmani, trupi gjykues i zëvendësoi dënimin me burgim me dënim me gjobë në shumat prej 8,000 euro. Për të njëjtit trupi gjykues iu shqiptoi dënim unik me gjobë në shumën prej 12.000 euro.

Ndërsa të akuzuarit Binak Bytyçi iu shqiptua dënim unik me gjobë në shumën prej 13,000 euro.

Në fjalën përfundimtare, Prokurori i Shtetit Mehdi Sefa, kishte thkesuar se edhe gjatë rigjykimit i vërtetua se i akuzuari Binak Bytyçi ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Tre ish-zyrtarët policorë që kishin pranuar fajësinë, në fjalën përfundimtare kishin kërkuar nga trupi gjykues të ketë parasysh rrethanat lehtësusese dhe t’u shqiptojë dënime sa më të ulëta.

Ndërsa i akuzuari Binak Bytyçi, në fjalën përfundimtare, edhe një herë kërkoi nga trupi gjykues që të lirohet nga akuzat, sepse me asnjë provë nuk u provua se i njëjti ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Meqenëse Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani kishin pranuar fajësinë për veprën penale të marrjes së ryshfetit, çështja e kthyer në rigjykim ishte zhvilluar vetëm ndaj të akuzuarit Binak Bytyçit.

Në nëntor të vitit 2017, trupi gjykues në përbërje të Ajser Skenderit kryetare dhe Luan Berishës e Kymete Kicajt anëtarë, kishte shpallur aktgjykimin dënues për zyrtarët policorë, Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani, ndërsa ndaj zyrtarit policor Binak Bytyçi Gjykata kishte marrë aktgjykim lirues në mungesë të provave, raporton kallxo.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në fillim të vitit 2018.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar pamje ekskluzive të policëve gjatë patrullimeve në rrugë.

Etiketa: , , ,
Të fundit