E diel, 9 Tetor 2022
PRIZREN – Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj nëntë doganierëve të Komunës së Prizrenit.
Ata ngarkohen me akuzat se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas aktakuzës katër prej tyre po akuzohen se në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare, duke bartur duhan në sasinë 80 mijë kilogramë nga Shqipëria në Kosovë dhe duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në shumën prej 3 milionë euro.
Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të këtij viti kishte refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Kundër këtij vendimi, mbrojtja brenda afatit ligjor kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me ç’rast kjo e fundit i ka refuzuar ankesat si të pabazuara.
Etiketa: Aktuale, Gjykata e Apelit, Korrupsioni, Prizren