Gjykata e Hagës shpall vendimin për Ratko Mlladiqin më 2 nëntor


E mërkurë, 18 Tetor 2017

Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) ka njoftuar sot se vendimi për të akuzuarin Mlladiq do të shpallet më 2 nëntor.

Ratko Mlladiq, 74 vjeçar, është i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës për aksionet e tij gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në periudhën 1992-95, kur ai ishte komandant i forcave serbe në Bosnjë.

Ai është i akuzuar se e ka mbikëqyrë masakrën e më se 8 mijë burrave e djemve myslimanë në qytetin Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.

Vitin e kaluar, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, që ishte koleg politik i të akuzuarit Mlladiq, është dënuar me 40 vjet burg nga Gjykata e Hagës.

Prokurorët kanë kërkuar nga gjyqtarët që ta shpallin fajtor Mlladiqin dhe ta dënojnë me burg të përjetshëm.

Ekipi i mbrojtjes i Mlladiqit ka kërkuar lirim nga të gjitha akuzat, duke thënë se fajësia e Mlladiqit kurrë nuk është dëshmuar dhe se prokurorët dëshirojnë ta bëjnë Mlladiqin “qengj simbolik të sakrificës për fajësinë e perceptuar” të serbëve gjatë luftës, nga e cila janë vrarë më se 100 mijë vetë.

Gjykata e Hagës do ta përfundojë misionin e vet më 31 dhjetor të këtij viti, pas më tepër se 20 viteve të veprimit, përcjell REL.

Deri tash, 83 të dyshuar janë dënuar për aksionet e tyre gjatë luftës. Shumë prej tyre kanë parashtruar ankesa ndaj dënimeve.

“Rasti Mlladiq së bashku me rastin Karaxhiq, janë dy prej rasteve më të rëndësishme, nëse jo më të rëndësishmet, në historinë e tribunalit, derisa ne e konsidorjmë Mlladiqin të jetë arkitekt i politikës së pastrimit etnik në një numër të komunave në Bosnjë”, u ka thënë mediave, prokurori Serge Brammertz.

Etiketa: ,
Të fundit