Gjykata Kushtetuese nuk solli vendim për kryqin në Butel


E mërkurë, 29 Qershor 2016

mac

Shkup – Gjykatësja Natasha Gaber tha se vendimi për ndërtimin e kryqit paraqet shkelje të nenit 19 paragrafi 3, madje edhe me elemente të diskriminimit në bazë fetare.

Gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë sot sërish nuk miratuan vendim lidhur me iniciativën për shqyrtim të kushtetutshmërisë së vendosjes së një kryqi të përmasave gjigante në komunën e Butelit të parashtuar nga kreu i Lëvizjes për Reforma – PDSH, Zijadin Sela me argumentin se shkel të drejtat themelore të njeriut dhe dispozitat kushteuese, dhe se është në kundërshtim me parimin e Badenterit i cili nuk është respektuar në këtë rast, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga gjykata thonë se epilogu nga votimi i sotëm i mbyllur erdhi si rezultat i votave të barabarta të gjykatësve të pranishëm në seancë, gjithsej tetë, nga të cilët katër ishin që vendimi të shpallet jokushtetues dhe katër të tjerë që nisma e Selës të refuzohet.

Në debatin për të argumentuar qëndrimin e tyre, më të zëshëm ishin gjykatësit Natasha Graber, Ismail Dardhishta, Sali Murati dhe Gëzime Starova të cilët mbronin qëndrimin se vendosja e kryqit në Butel është antikushtetuese sepse nuk ka respektuar ligjin.

Gjykatësja Natasha Gaber në fjalimin e saj tha se vendimi për ndërtimin e kryqit paraqet shkelje të nenit 19 paragrafi 3, madje edhe me elemente të diskriminimit në bazë fetare.

Sa i përket ligjit për pushtetin lokal, Gaber tha se i njëjti është manipuluar me propozimin për vendosjen e kryqit sepse në arsyetimin e komunës qëndron se vendoset “pajisje urbane” në të cilën kategori nuk bënë pjesë ky simbol fetar i cili ka domethënie identitare dhe kulturore.

“Në bazë të ligjit për ndërtim që daton nga viti 2009, me definicionin ‘pajisje urbane’ përfshihen objektet për shitjen e biletave për transport urban, suvenire, lule, akullore, toalete, shatërvane etj. Ku shihni ju që kryqi si simbol mund të trajtohet si ‘pajisje urbane’ pyeti gjykatësja Gaber për të shtuar me keqardhje se vet propozuesi për të shmangur votimin e dyfishtë e ka shndërruar simbolin fetar në pajisje urbane.

Rezultati i votimit të sotëm ka bërë që Kushtetuesja javën tjetër sërish të shqyrtojë propozimin.

Para seancës së sotme, Kushtetuesja kishte mbajtur dy seanca të pasuksesshme për të vendosur rreth kushtetutshmërisë së vendimit të komunës së Butelit.

Në muajin shkurt, komuna e Butelit miratoi vendimin që në hyrje të saj nga drejtimi i komunës së Çairit të vendos një kryq në përmasa prej 55 metrash.

Propozimi siç thanë atëherë nga komuna ka qenë i Kongresit Maqedonas.

Ky vendim rezultoi me protesta të organizuara nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me arsyetimin se një vendim i tillë do t’i prishë marrëdhëniet ndërfetare, me potencial të lartë për të krijuar konflikt permanent mes qytetarëve.

Protestat në disa momente ishin tejet të tensionuara dhe përfunduan me prishjen e bazamentit i cili ishte ndërtuar për vendosjen e kryqit.

Të fundit