E martë, 12 Janar 2016
Los Angeles – Filmi “The Revenant” fitoi çmimin e dramës më të mirë, ndërsa aktori kryesor i këtij filmi DiCaprio fitoi çmimin aktori më i mirë.
Ceremonia më e shikuar pas Oscar-it dhe Grammy-s, nata e çmimeve të Globit të Artë u mbajt në Beverly Hills të Kalifornisë në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremoninë e prezentoi komediani anglez Ricky Gervais, ndërsa çmimin për filmin më të mirë në kategorinë e dramës e fitoi filmi “The Revenant” (Ringjallja) e cila është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë. Leonardo DiCaprio i cili deri më tani nuk ka fituar çmimin Oscar, e fitoi çmimin aktori më i mirë me rolin e tij në filmin “The Revenant”.
Ndërsa regjisori meksikan Alejandro Gonzales Inarritu me filmin “The Revenant” fitoi çmimin regjisori më i mirë.
Në këtë natë, në kategorinë e dramës çmimin e aktores më të mirë e fitoi Brie Larson me rolin nga filmi “Room”.
Në “Globin e Artë” ku çmim fitoi edhe këngëtarja e njohur amerikane Lady Gaga, në kategorinë e komedisë dhe muzikalit aktori më i mirë u zjgodh aktori kryesor i filmit “The Martian”, Matt Damon.
Ndërsa në këtë kategori filmi më i mirë u zgjodh filmi “The Martian”. Aktorja më e mirë e kësaj kategorie u zjgodh Jennifer Lawrence me rolin e saj në filmin “Joy”.
Çmimin aktori ndihmës më i mirë e fitoi Sylvester Stallone, i njohur me filmat Rambo dhe Rocky, me rolin e tij në filmin “Creed”. Aktori i njohur Stallone pasi u shpall fitues mori duartrokitje të madhe nga të pranishmit.
Filmi i cili e tregon Holokaustin “Son of Saul” (Biri i Saul-it) fitoi çmim në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj. Ndërsa aktori amerikan Denzel Washington e fitoi çmimin e nderit të emërtuar 2016 Cecil B. DeMille.