E mërkurë, 18 Korrik 2018
Google do të mësojë nëse do të jetë përballë një gjobe rekord në lidhje me sistemin e tij operativ Android orët në vijim.
Komisioni Evropian ka thënë se kompania ka shfrytëzuar sistemin operativ Android për të forcuar dominimin e saj në kërkimet në internet. Rregullatori mund të gjobisë kompaninë deri në 10% të të ardhurave të saj vjetore, që shkon në 11.1 miliardë dollarë.
Ai mund edhe të detyrojë Google që të tërheqë Androidin nga brouseri i saj Crome dhe shërbime të tjera. Komisionerja për Konkurrencën, Margrethe Vestager, më herët ka urdhëruar kompaninë që të paguajë 2.4 miliardë euro gjobë, në lidhje me shërbimin e saj të krahasimit të çmimeve, një vendim të cilin Google po e apelon.
Vendimi për Androidin pritej më herët këtë muaj, por Reuters raportoi se ai ishte shtyrë me qëllim që të evitonte një përplasje me Presidentin Donald Trump gjatë vizitës së tij në Evropë. Hetimi ndaj Google ka nisur prej vitesh, pasi besohet se gjigandi i kërkimit ka detyruar prodhuesit e telefonëve Android që të instalojnë aplikacionet e kompanisë.
Telefonët Android zënë 74% të tregut të telefonëve në Evropë. Por Google insiston se marrëveshja me prodhuesit u jep atyre lirinë për të konkurruar me Apple. Përveç gjobës gjigande me të cilën Google rrezikon të përballet, kompania do të detyrohet të thyejë marrëveshjet ekzistuese me prodhuesit. Kjo do të thotë se më shumë telefonë Android pa aplikacionet e Google do të dalin në shitje, duke u ardhur në ndihmë rivalëve si Microsoft Bing apo Mozilla Firefox.
Etiketa: Google