E shtunë, 30 Janar 2016
Ka arritur në 40 numri i viktimave në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë dhe gra shtatzënë, ndërsa 75 të tjerë u shpëtuan pas përmbytjes së anijes në brigjet perëndimore të Turqisë, anije kjo që po barte emigrantë në përpjekje për të kaluar drejt ishujve greke.
Fotografitë e publikuara tregojnë tmerrin që po përjetojnë emigrantët ku shumë prej tyre edhe po humbin jetën, në përpjekje për të kaluar detin dhe arritur në Evropë, duke ikur nga lufta dhe varfëria, raporton Mirror.
Anija u fundos sot në orët e hershme të mëngjesit ku edhe u dha sinjal për ndihmë, e forca të shumta të ekipeve të shpëtimit ia mësyn asaj pjese.
Roja bregdetare e ka gjetur anijen gjysmë të fundosur si dhe ka parë shumë të huaj në anije por edhe në det.
Pas sinjalit që ka dhënë ai, ekipet e shpëtimit kanë shkuar edhe me mbështetje nga forcat ajrore.
Më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë kanë arritur në Bashkimin Evropian në vitin që kemi lënë pas dhe diku 3 mijë e 600 kanë vdekur ose janë zhdukur duke detyruar këshut BE të mendojë për pezullimin e Shengen-it apo ta pezullojë atë për dy vitet e ardhshme.
Rojet bregdetare turke kanë vazhduar me orë të tëra përpjekjet e tyre për kërkim shpëtim, ku në anijen 17 metërshe ishin të paktën 120 persona, e cila u përmbys në brigjet Ayvacik, pranë ishullit grek Lesvos./Lajmi.net/