“Grupit i Kumanovës” po mbahet i izoluar në Prilep dhe Manastir


E enjte, 9 Korrik 2015

Shkup – Disa nga të arrestuarit në “Grupin e Kumanovës” janë transferuar nga Shkupi në Prilep dhe Manastir, ku po mbahen të izoluar.

Shumica e të arrestuarve pas përleshjes së armatosur me policinë maqedonasve më 9 dhe 10 majit në Kumanovë vazhdojnë të trajtohen keq nga ana e autoriteteve maqedonase. Këtë e kanë konfirmuar avokatët e të paraburgosurve. Ndonëse gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar për dallim nga ditët e para, kur ishin rrahur në mënyrë brutale gjatë dorëzimit, avokati Naser Raufi thotë se institucionet maqedonase kanë gjetur forma të tjera për t’ua bërë “jetën ferr” të paraburgosurve. Raufi është avokat i disave prej të arrestuarve. Ai njofton se pa asnjë arsye disa të paraburgosur janë transferuar jashtë burgut Shutka të Shkupit. Katër ndodhen në Prilep dhe tre në Manastir, ku po mbahen në kushte aspak humane, transmeton dialogplus.

Demë Shehu (Juniku), Muhamet Krasniqi (Malisheva), Valdet Zekaj dhe Nexhmedin Lika, ndodhen në burgun e Prilepit, kurse në burgun e Manastirit janë Sami Ukshini, i njohur si komandant “Sokoli”, Ardijan Bujari dhe Shefqet Hallaqi.

Disa nga të paraburgosurit po mbahen të izoluar. “Në burgun e Prilepit janë dy të paraburgosurit që unë i mbroj, ‹Juniku› dhe ‹Malisheva›. Ata janë vendosur në izolim në mënyrë krejtësisht antiligjore. Në izolim vendoset një i paraburgosur kur shkel rendin e burgut dhe shkakton probleme, por ata s’kanë bërë asnjë gabim. Ata mbahen në kushte shumë të këqija”, thotë avokati Naser Raufi.

Një problem tjetër, sipas tij, është vetë gjykatësja për çështje paraprake Sllavica Andreevska. Ajo nuk kontakton as me avokatët dhe nuk përgjigjet ndaj kërkesave për ndihmë shëndetësore nga ana e të paraburgosurve. “Gjykatësja nuk kontakton me asnjë avokat, është shumë arrogante. Ajo nuk ka reaguar as për gjendjen shëndetësore të të burgosurve, pastaj nuk jep përgjigje as në kërkesat që t’u dërgohet mjeku për kontroll. Të burgosurit ajo i ka lënë në duart e mjekut të burgut, ndërsa ata kanë nevojë edhe për kontrolle shtesë dhe të specializuara”, thotë Raufi.

Ai ka akuzuar rëndë edhe Avokatin e Popullit, Ixhet Memeti dhe ministrin e drejtësisë Adnan Jashari se nuk e bëjnë punën si duhet. “As Avokati i Popullit, as ministri nuk bëjnë asgjë. Kam reaguar edhe për izolimin dhe kushtet e këqija, por ministri s’ka reaguar”, thotë avokati.

Por, ministri i drejtësisë, Adnan Jashari ka hedhur akuzat duke thënë se autorizimet e tij janë të kufizuara në këtë drejtim. Jashari thotë se është duke e përcjellë vazhdimisht situatën. Jashari thotë se në bazë të ligjit për procedurë penale kompetente për këtë çështje është gjykatësi për çështje paraprake dhe jo ministria e tij. Gjykatësi sipas nevojës jep të dhëna për të paraburgosurit sa i përket gjendjes shëndetësore dhe trajtimit të tyre. Gjithnjë sipas ministrit një drejtori përkatëse në ministrinë e Drejtësisë mbikëqyrë trajtimin e të burgosurve, por jo edhe të personave të paraburgosur.

Avokatja Artena Ademi-Iseni ka deklaruar për mediumet në Shkup se disa nga të arrestuarit kanë pësuar lëndime të rënda pasi i janë dorëzuar policisë maqedonase. Dy prej tyre, Beg Bajra dhe Valdet Zekaj, kanë mbijetuar me thyerje të nofullës dhe thyerje të dhëmbëve.

Avokati Naser Raufi ankohet se disa nga të arrestuarit janë keqtrajtuar edhe në ambientet e gjykatës. Edhe për këtë avokati e fajëson gjykatësen për çështje paraprake Sllavica Andreevska. Në një rast tjetër kjo gjykatëse ka lejuar që inspektorë të policisë të hyjnë në burg dhe të bëjnë presion mbi një të burgosur që të nënshkruajë një deklaratë. Raufi ka treguar se i burgosuri quhet Qenan Iseni dhe është nga fshati Hotel. Ky veprim i gjykatëses, sipas avokatit, është skandaloz dhe i palejueshëm, sepse në burg guxojnë të hyjë vetëm gjykatësja e çështjes paraprake dhe avokati.

Përveç të paraburgosurve viktimë e sjelljes arrogante të institucioneve kanë rënë edhe familjarët e tyre. Raufi ka bërë të ditur se anëtarëve të familjeve të të arrestuarve u janë refuzuar vizitat në burg me arsyetimin se janë vonuar – ndonëse kanë paraqitur kërkesë që në orën 10 të paradite. Raufi ka thënë se për shkak të këtyre sjelljeve skandaloze gjykatësja Andreevska duhet të përjashtohet nga procedura e mëtutjeshme. Hetimet kundër “Grupit të Kumanovës” nuk kanë shënuar ndonjë përparim. Njëri nga avokatët konfirmon se deri më tani nuk ka asnjë lëvizje nga momenti i marrjes në pyetje.

Etiketa: ,
Të fundit