E martë, 5 Dhjetor 2023
PRISHTINË – Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka takuar drejtorin për marrëdhënie ndërkombëtare të Autoritetit britanik të Mbikëqyrjes Financiare (FCA), Ruairi O’Connell.
Guvernatori Ismaili dhe zëvendësguvernatori Dardan Fusha në këtë takim shpalosen planet e BQK-së në funksion të realizimit të objektivave dhe Planit Strategjik, me fokus funksionin e ri për mbrojtjen e konsumatorit dhe praktikat e mbikëqyrjes së tregut në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve financiare në vend.
Në komunikatë thuhet se gjatë këtij takimi, guvernatori Ismaili diskutoi mundësinë e lidhjes së një marrëveshje bashkëpunimi në krijimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike, metodologjitë dhe qasjen e avancuar britanike, në gjithëpërfshirjen financiare, mbrojtjen e konsumatorëve, shërbimet digjitale financiare, kripto-asetet, tregjet e kapitalit dhe çështje tjera.
“Po ashtu, është biseduar edhe për shkëmbimin e informative nga tregjet respektive rreth hyrjes së investitorëve potencial në treg apo performancës së tyre’.
Pjesë e diskutimit ishin edhe vizitat ndërmjet dy institucioneve me qëllim të ndarjes së njohurive gjatë pjesëmarrjes së ndërsjellët në punëtori të fokusuara dhe konferenca që avancojnë praktikat dhe standardet e kësaj fushe.
O’Connell shprehu gatishmërinë për të trajtuar mundësinë e mbështetjes së BQK-së në realizimin e objektivave dhe planeve të institucionit më të lartë financiar në vend, të parapara sipas mandatit kushtetues dhe ligjor.
Në fund, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e institucionit që drejton për mbështetjen e Britanisë së madhe, në veçanti Bankës së Anglisë dhe Autoritetit Mbikëqyrës Financiar për sistemin financiar dhe BQK-në përmes programeve të mbështetjes me asistencë teknike dhe projekteve në vijim.
Kujtojmë se O’Connell nga viti 2015 deri në vitin 2019 ka shërbyer në detyrën e Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës./Telegrafi
Etiketa: Ahmet Ismaili, Britania, Kosova, Ruari O`connel