Hahn: S`kemi asnjë shqetësim për Shqipërinë


E mërkurë, 22 Prill 2015

Bruksel – Larg kamerave, komisioneri austriak, Johannes Hahn dhe Komisionerja sllovene, Violeta Bulc kanë mbledhur në Bruskel gjashtë kryeministrat e Ballkanit për të pranuar angazhimet e marra në fund të muajit mars, në nivel ministrash në Prishtinë, përmes të cilave synohet ndërlidhja e kryeqyteteve të rajonit.

Kryeministri Rama dhe Komisioneri Hahn kanë dhënë një intervistë të shkurtër pas takimit. Hahn, duke mos u ndalur specifikisht në ndonjë çështje, vlerësoi se Shqipëria po ecën në rrugë të mbarë.

Hahn: Siç e dini Shqipëria ka 5 objektiva dhe për ato po punohet shumë mirë, sidomos puna për reformën në drejtësi duket sikur po ecën shumë mirë. Jemi në rrugë të mbarë. Jemi këtu sëbashku sepse na u dha ky rast për t’u takuar për shkak të takimit të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, por po të mos kishte qenë për këtë nuk do të kishte pasur ndonjë arsye për t’u ulur sëbashku, pra për sa i përket adresimit të ndonjë problemi. Fatkeqësisht, nuk kam shumë gjëra për t’ju raportuar, sepse herë pas here ndodh që gjërat shkojnë mirë. Dhe nuk ka nevojë për të thënë shumë.

Pra nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me Shqipërinë?

Hahn: Asnjë shqetësim në veçanti.

Ndërsa Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen ndaj komisionerit, duke vlerësuar se është bërë një hap i madh drejt ndërlidhjes së rajonit, jo vetëm në aspektin e zhvillimit infrastrukturor, por edhe atij të paqes.

Rama: Kjo është një ditë shumë e bukur dhe unë dua të them se i jemi shumë mirënjohës Komisionerit Hahn. Kemi vendosur shumë shpresa në eksperiencën e tij të gjatë dhe punën për zhvillimin rajonal, sepse sot bëmë një hap shumë të madh përpara drejt përcaktimit të rrjetit ndërlidhës në rajon, i cili nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por është një projekt paqeje dhe bashkëpunimi të begatë. Nga ana tjetër, patëm rastin të takoheshim dhe ne kthehemi në Tiranë shumë të motivuar dhe shumë optimistë, sepse e dimë se çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë dhe shpresojmë shumë që në vjeshtë do të jemi në gjendje të themi se ia dolëm.

Kryeministri u shpreh dje, në një intervistë “Al-Jazeera” se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Projektet infrakstrukturore

Gjashtë vendet e rajonit kanë dalë me një qëndrim të përbashkët, ku angazhojnë “komitetet kombëtare të investimit” për prioritetet në kuadrin e projekteve gazsjellëse. Deklarata e përbashkët e takimit përmend “përmirësim të bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit ekonomik, si mjet të përbashkët për arritjen e standardeve europiane dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE”.

Në projektet e përzgjedhura për investime, Shqipëria përfshihet në “Korridorin 8”, me rrugën Durrës-Elbasan, që lidhet më pas me Tetovën e Shkupin deri në kufi me Bullgarinë, si dhe me dy rrugë të “Korridorit 10”, Lezhë-Prishtinë-Nish dhe Podgoricë-Durrës-Fier-Tepelenë-Qafë Botë. Vendi përfiton dhe për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë/Durrës-Podgoricë).

Komisioni Europian angazhohet për 130 milionë euro për këtë vit dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e para-anëtarësimit (IPA 2014-2020). Rezultatet konkrete mbi projektet specifike pritet të qartësohen në samitin e Vjenës, që mbahet më 27 Gusht. Po ashtu, do të rishqyrtohet përfshirja e hekurudhës për “Korridorin 8” dhe mënyra e vendosjes së kufijve të Kosovës në hartën e projekteve të përbashkëta rajonale.

Etiketa: , , ,
Të fundit