Halloween-i dhe natyrshmëria njerëzore


E martë, 1 Nëntor 2016
Haris ADEMI

Haris ADEMI

Vetëdija për veprimet dhe mendësia e bën njeriun qenien më të përsosur dhe njëherit më të komplikuar ndër gjallesat tjera. Me anë të këtyre dy komponenteve ne jemi të gatshëm ta ushtrojmë aktivitetin tonë jetësor në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke i zotëruar ato, ne mund t’i tejkalojmë edhe situatat më të vështira dhe sprovat më të mëdha, sidomos kur na kanoset natyrshmëria jonë. Mirëpo mbrëmë bota kaloi nëpër një natë të tmerrshme!
Halloween-i është një festë pagane, një mit që buron nga populli i keltëve. Një natë në të cilën besohej se shkriheshin kufijtë mes botës së të gjallëve dhe botës së të vdekurve. Logjike kjo, apo jo?

Para një kohe, në një bisedë me një mik timin, lidhur me paganizmin si besim ai më tha se njerëzit e përkatësisë së tillë ishin shumë të palogjikshëm dhe se nuk kishin asnjë bazë për besimin e tyre. Dhe gjithashtu argumentoi në mënyrë racionale lidhur me temën. Ndërsa mbrëmë e pashë të veshur me një kostum të frikshëm! Ka shumë të tillë si miku im. Këtu qëndron vetëm një arsye: servilizmi i çmendur ndaj secilës gjë që na ofrohet si “trend”! Bota mbrëmë pati një natë katastrofale, pasojat e së cilës u panë në të gjitha mediat. Fytyra të qoroditura, veshje degjeneruese, huliganizma e shumë veprime tjera të dalura krejtësisht nga natyrshmëria njerëzore.

Mbrëmë shumë njerëz dolën nga unaza e butësisë nga e cila janë krijuar dhe zgjodhën të jenë vulgarë e të frikshëm. Dhe më e keqja, shumica e kësaj kategorie ishin fëmijë! Me karakter ende të njomë dhe të paformësuar, duke gjetur përkrahjen e të rriturve, ata dolën në rrugë, u armatosën me vezë dhe gjuajtën çdo kalimtar që iu dilte përpara. Fatkeqësi është metoda paradoksale me të cilën edukohen ata. Ditën në shkollë kanë mësuar për etikën njerëzore, se si njeriu duhet të ketë virtyte dhe sjellje të mira, e në mbrëmje u djallëzuan e dolën nga suazat e natyrës së tyre.

E gjitha kjo, festimi i kësaj “feste” apo injorimi i saj, le të jetë në vetëdijen e secilit prej nesh. Mirëpo mbrëmë e pamë sa e dobishme është kjo për neve. Mirëpo natyra jonë ka qenë e butë që nga fillet e krijimit tonë, dhe e tillë do të mbetet përderisa ne e kultivojmë atë!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.