Hamami i Gazi Mehmed Pashës


E mërkurë, 30 Korrik 2014

Hamami i Gazi Mehmet Pashes

Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në qendër të qytetit pranë xhamisë së Kukli-Mehmed beut dhe xhamisë së Emin Pashës. Është ndërtuar në vitin 1563-74. Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrim (1833) e cila tregon datën e restaurimit të hamamit nga ana e vëllezërve Tahir dhe Mehmed Pashë Rrotulli. Hamami ka shërbyer si banjë publike deri në vitin 1927/44, dhe u bë pjesë integrale e jetës shoqërore dhe kulturore. U shpall monument kulturor në vitin 1954.

Hamami është i llojit “çifte hamam” që është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë. Është ndërtuar nga gurë të ndryshëm.

Pjesa e hamamit për meshkuj është pak më e madhe se pjesa tjetër për femra. Hamami ka të gjitha hapësirat që kanë hamamet e këtij lloji, pra përbëhet prej pjesës së ftohtë – hyrëse (pjesa për pritje si dhe për pije), pjesës së vaktë – gardërobës respektivisht të sanitareve, pjesës së ngrohtë – qendrore ku bëhej larja, djersitja dhe dëfrimi, si dhe pjesës teknike (“qylhani”) ku janë depot e ujit dhe kalldatorja që gjendet në pjesën jugore të objektit.

Muret kanë një trashësi rreth 90cm ku nga ana e brendshme është e suvatuar. Pullazi i objektit ka dy kube të mëdha të pjesës së ftohtë (pritja) dhe nëntë kube të vogla, që janë mbi pjesën e ngrohtë të hamamit. Pullazi i pjesës së gardërobës dhe kalldatores është në formë qemeri. Mbulesa është me tjegulla në pjesën e ftohtë , ndërsa me pllaka të plumbit në pjesët tjera. Deri në vitin 1964 hamami ka qenë i rrethuar me lokale, me ç’rast bëhet rrënimi i tyre dhe fillojnë punët restauruese-konservuese. Edhe në vitet 70-ta të shek. XX bëhen disa renovime ku pas viteve ’80-ta objekti definitivisht lihet në mëshirë të kohës. Pas vitit 2000 pjesa e ftohtë e hamamit shfrytëzohet si galeri.

Të fundit