E mërkurë, 21 Gusht 2013
Xhabir Hamiti që deri dje ishte kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, ka pohuar për Kosovapress se shkarkimi i tij nga ky post është i papranueshëm dhe jolegjitim, pasi që anëtarët e Kuvendit aty për aty kanë mbledhur nënshkrime për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme.
Ai ka thënë se është e drejt legjitime e kryetarit të kuvendit që të fillojë dhe mbarojë mbledhjen, duke mohuar akuzat e zyrtarëve të BIK-ut se i njëjti e ka lëshuar mbledhjen në mënyrë arbitrare.
“Mbledhja e nënshkrimeve për mbledhje të jashtëzakonshme aty për aty është jolegjitime. Unë nuk do të lëshoj pe në atë çka është legjitime, kushtetuese dhe rregullore të brendshme. Kinse unë jam shkarkuar për shkak të neglizhencës sime në kuvend, por kjo nuk është e vërtetë se unë të gjitha i kam të shkruara dhe të arkivuara dhe janë transparente”, ka pohuar Hamiti.
Hamiti, ka pohuar se kështu si po rrjedhin punët, nënkuptohet se ai është i padëshirueshëm për myftiun e tanishëm Naim Tërnavën. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk do të heq dorë nga kërkesa e tij, që Bashkësia Islame e Kosovës të jetë transparente, legjitime dhe e drejt.