Hapet muzeu i mikrobeve në Holandë


E diel, 5 Tetor 2014

Në kohën kur bota është mbërthyer nga paniku prej virusit të Ebolës, në Holandë shkencëtarët po ndihmojnë publikun të njihet nga afër me mikrobe të ndryshme dhe me vlerën e tyre për jetën në tokë.

Kopshti zoologjik i Amsterdamit, një ndër institucionet më të vjetra në botë për koleksionimin dhe prezantimin e larmisë së botës së gjallë, ka hapur këto ditë ekspozitën Micropia. Në stendat e ekspozitës mund të shohësh epruveta me substanca të ndryshme, të gjitha të populluara me mikroorganizma që shoqërojnë ekzistencën tonë të përditshme. Marrëdhënia mes njeriut dhe mikrobeve është fokusi qendror i ekspozitës.

Një nga elementet më interesante të ekspozitës është një skaner i trupit që i ndihmon vizitorët të kuptojnë ku fshihen mikroorganizmat në trupin e njeriut dhe si ndihmojnë këto krijesa mikroskopike në mbarëvajtjen e proceseve fiziologjike të njeriut. Vizitorët mund të zgjedhin të analizojnë një pjesë të trupit dhe mësojnë se çfarë bakteresh fshihen aty.

Në ekspozitë njerëzit mësojnë për produktet e përditshme që prodhohen falë mikroorganizmave, si kosi apo frutat e thara dhe për studime që po bëhen për ta shfrytëzuar potencialin e botës mikroskopike në të mirë të njeriut. Një ndër studimet më shpresëdhënëse është përdorimi i algave për të prodhuar karburant të pastër.

QueenMaximaNetherlandsOpensMicropiaMuseumIHJ0t3649I2l

Etiketa: ,
Të fundit