E premte, 6 Korrik 2018
Prishtinë – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme e ka realizuar shqyrtimin paraprak të Pakos Legjislative të Reformës së Administratës Publike, në të cilin përfshihet edhe Ligji për Pagat e të cilën e ka prezantuar Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, pas kësaj mbledhjeje ka thënë se me këtë ligj askujt nuk do t’i ulet rroga për asnjë cent, pos kryeministrit, njofton Klan Kosova.
“Ligji për Pagat është ligj që Kosova nuk e ka fare. Ky ligj është me vite të tëra në diskutim, ridiskutim, diskutim, ridiskutim”.
“Më në fund po vjen në Qeveri dhe do të jetë në Parlament. Sot e kemi hapë për diskutim publik, janë 10 ditë kohë që të kthehet në Qeveri”.
“Lajmi është ky, pos njërit (kryeministrit), askujt nuk i ulet paga në Kosovë. Do të ketë rritje të pagave, nivelizim, dhënie të drejtës në bazë të parametrave të paraparë dhe të caktuar për të gjithë ata që paguhen prej buxhetit të shtetit”.
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Kryeministri, Pagat, Ramush Haradinaj