E diel, 21 Maj 2017
Prishtinë – Duke folur për akuzën e LDK’së se koalicioni PDK-AAK-NISMA është i territ, Haradinaj ka thënë se dikur Partia e Isa Mustafës krenohej pse e kishin nominuar për Shef të Qeverisë.
“Kam bashkëqeverisur dikur me LDK’në. Ata më njohin mirë. Ma kanë besu me udhëheq Qeverinë e vendit. Edhe janë krenu me logjikat qeverisëse”, ka thënë Haradinaj, në një konferencë, për media.
Këtë përgjigje Haradinaj e ka dhënë duke folur për paralajmërimin e tij se do t’i largojë nga administrata shtetërore të gjithë ata që nuk kryejnë punën për çka janë marrë vesh.
LDK kishte reaguar ndaj këtij paralajmërimi duke thënë se Haradinaj kërcënoi me largim nga puna zyrtarët e Shtetit për të mbushur me militantë të AAK’së, parti kjo në opozitë prej vitit 2007.
“LDK garanton qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrij në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’ia pamundësojë koalicionit të territ që t’i shantazhojë dhe t’i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësit e tij”, thuhej në reagimin e LDK.
Por, lideri i AAK’së ka vazhduar të paralajmërojë largimin nga puna të atyre që nuk punojnë. Por, ka thënë se askush s’do të largohet nga puna për shkak të bindjeve politike, ideologjike apo përkatësive tjera.
“Nuk mundemi me mbajt peng vendin tonë në emër të qfarëdo burokracia. O kanë me shku në shpi, o kanë me krye punë”, ka thënë Haradinaj, teksa ka prezantuar disa aderime të reja në AAK.
Në mesin e atyre që shkoi në Partinë e Haradinajt është edhe gazetari i RTK’së nga Tirana, Asllan Bajrami. Ky i fundit ka thënë se është i nderuar që është bërë pjesë e ekipit të Kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.
Etiketa: Aktuale, LDK, Ramush Haradinaj, Zgjedhjet