Haradinaj: Nuk e gjykoj Donikën


E martë, 11 Shkurt 2014

Kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në intervistën në emisionin Debat të RTK-së, tha se e kanë befasuar akuzat Donika Gërvallës, por nuk e fajëson, sepse beson se ajo është viktimë e shpifjeve dhe dezinformatave. “Ajo (Donika) është bija e një patrioti dhe atdhetari të madh dhe nuk e gjykoj”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se është e papranueshme që qytetarët e Kosovës të jetojnë një varfëri kaq të madhe, derisa Kosova është ndër vendet më të pasura në botë. “Rezervat e thëngjillit nuk duhet të përdoren për djegie, por duhet të përpunohen dhe të fitohen produkte të tjera, siç është nafta…”

Haradinaj thotë se nëse merr drejtimin e Qeverisë, papunësinë do ta sjell në shkallën nën 10 për qind

“Synoj ta marr qeverisjen e vendit ku qytetari do të ndjehet mirë, nuk do të ndjehet i izoluar. Pra jam duke ofruar diçka më shumë sesa një rutinë në të cilën është futur vendi”, tha lideri i AAK-së.

“Po punojmë që të marr besimin e elektoratit, me një plan qeverisës serioz me garanca sikurse të modelit qeverisës të 100 ditëshit tim si kryeministër.

Thotë se sikur ai të vazhdonte të qeverisë Kosovën vendi nuk do të ishte në këtë gjendj kaq të rëndë ekonomike dhe me izolim.

Duke komentojë deklaratat e Donika Gërvallës vajzës së Jusuf Gërvallës, Haradinaj tha se ka respekt të jashtëzakonshëm për familjen Gërvalla dhe për luftën që kanë bërë bashkë. “Haradinajt gjithmonë i kanë qëndruar afër familjes Gërvalla”.

“Zonja Gërvalla ka ra viktimë e shpifjeve dhe dezinformatave të dikujt tjetër. Kuptohet se jam habitur nga etiketimet e saj. Nuk dua të lëshohem më shumë, sepse kam një respekt të veçantë për familjen Gërvalla…”

“Ajo (Donika) është bija e një patrioti dhe atdhetari të madh dhe nuk e gjykoj”, tha Haradinaj.

Lidhur me partnerin eventual qeverisës, Haradinaj tha se aleatin kryesor e ka qytetarin. “Do të ftojmë gjithë spektrin poltik, që marrin besimin e qytetarëve, që të na bashkohen në qeverisjen e mirë të vendit”, tha ai,

Haradinaj tha se pret të marrë informata nga institucionet lidhur me formimin e një Tribunali për krimet gjatë luftës në Kosovë.

Thotë se opinioni është duke kuptuar se ai dhe partia e tij nuk kanë lidhje dhe nuk janë të implikuar në aferat që kanë të bëjnë me haraçin dhe skandale të tjera korruptive.

I bindur se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të dalë fituese, Haradinaj thotë se “Qytetarët e Kosovës, në zgjedhjet që do të vijnë, do të gjykojnë vetë”. /Telegrafi/

Të fundit