E enjte, 14 Nëntor 2013
Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për “Argument Plus” të RTV21, ka thënë se pas zgjedhjeve të 3 nëntorit është takuar me Thaçin. Haradinaj ka thënë se ai është njeriu u duhur për të qeverisur Kosovën.
Ai ka folur edhe për ndihmën që i është dhënë gjatë kohës sa ishte në Hagë, duke thënë se e ka ndihmuar edhe Behgjet Pacolli, por nuk ndien asnjë detyrim ndaj tij.
“Pacolli me ka ndihmuar me para, jo aq sa thuhet, por s’ndiej kurrfarë obligimi ndaj tij. Më shumë ndiej obligim ndaj mësuesit që më ka dhënë 5 euro, sesa ndaj tij”, -është shprehur Haradinaj.
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, Haradinaj tha se ka pritur një rritje më të madhe të votave nga çfarë ka marrë.
Ai deklaroi se pas zgjedhjeve është takuar dy herë me kryeministrin Hashim Thaçi.
Por, kjo, sipas Haradinajt nuk do të thotë se është duke u diskutuar për ndonjë koalicion në mes partive në nivel kombëtar, por po flitet për koalicione nëpër komuna të caktuara.