Haradinaj tregon se çka është plani franko-gjerman


E shtunë, 5 Nëntor 2022

PRISHTINË – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me draft propozimin franko – gjerman nuk cenohet shtetësia e Kosovës, por hiqet bllokada për njohjen edhe nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimin në NATO.

Haradinaj tha se me këtë draft dokument parashihet rregullimi i marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura.

Haradinaj shtoi se çështja e të zhdukurve është e paraparë në këtë draft, por është në nivel të drejtësisë e jo të kërkim faljes.

I pari i AAK-së tha se Kosova pa pengesa të fqinjëve i kryen të gjitha proceset e anëtarësimeve në mekanizma ndërkombëtar si vend i njohur dhe mbetet vetëm çështja e marrëdhënieve bilaterale me Serbinë, që në të ardhmen më shumë do t’i konvenonte asaj se sa Kosovës.

“Ne kemi shpresuar që do ta kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kam shpresu që do të shkojmë në Uashington për ta nënshtruar, por dobësitë e përfaqësuesve tanë me përfaqësu vendin tonë si duhet, kanë bërë që amerikanët si duket na kanë zbrit pak në trajtim, na kanë dërguar në nivele tjetra për shkak të gabimeve të Kurtit e Osmanit”, tha ai në emisionin Personale të RTV Dukagjini.

Më tej ai tha se në dokumentin franjo-gjerman janë dy tema që janë pjesë e dialogut.

“Është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe çështja e Kishës Serbe. Të dy këto tema janë opsion. Dhe opsioni për Asociacionin është ai kushtetues, pra nuk diskutohet për një formë të veçantë të Asociacionit. Por, theksohet zbatimi i obligimeve të marruar më herët, dhe nuk ka diçka të re në asociacion, që i bie, duhet që të respektohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Etiketa: , ,
Të fundit