Harrohet “shkrirja” e Gardës së Republikës


E hënë, 7 Prill 2014

Tiranë, 7 prill – Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë. Brenda 100 ditëve do të ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit”. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e bëri këtë deklaratë më 27 shtator të vitit të kaluar, por sot që kanë kaluar gjashtë muaj, ende nuk ka përfunduar një proces i tillë.

Deklaratën për “shkrirjen” e Gardës së Republikës e bëri në takimin e parë që pati me gardistët si ministër e Brendshëm, ku prezantoi edhe kreun e ri të këtij institucioni, Gramoz Sakon, të cilin e vuri në krye të reformës.

Sot, kanë kaluar gjashtë muaj nga një deklaratë e tillë, por burimet nga Garda e Republikës shprehen se ende nuk është bërë asnjë ndryshim strukturor. Madje, për një kohë të gjatë, të gjithë punonjësit kanë qëndruar me ankth sesi do të veprohet, nëse do u shkurtohet vendi i punës, nëse do të pranohen efektivë të rinj, por ende nuk ka një zhvillim të ri. Me hapa pothuajse të njëjtë po ecet edhe për ligjin e ri, që do të përfshijë Gardën e Republikës, brenda Policisë së Shtetit, pasi vetë ministri i Brendshëm është shprehur se do të marrë fund epoka e drejtuesve politikë në krye të këtij institucioni.

Ministri Tahiri pati deklaruar se ka urdhëruar nisjen e reformës në Gardën e Republikës, e cila që nga ajo ditë presupozohej se nuk do të ekzistonte më në formën aktuale, por do të ristrukturohej dhe kthehej në një strukturë në varësi të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në krye të procesit të reformimit të Gardës së Republikës, ministri emëroi Gramoz Sakon, i cili vazhdon të jetë në krye të këtij institucioni, oficer me një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në strukturat e Policisë së Shtetit.

“Ky institucion është deformuar gjatë këtyre viteve. Jo vetëm në funksion, por edhe në përmbushje të detyrës, në efektivitetet e mbi të gjitha në politizim dhe faturë financiare për buxhetin e shtetit. Ndaj reforma në Gardën e Republikës është e domosdoshme. Së pari, për ta kthyer në një institucion eficient në përmbushjen e misionit dhe detyrave. Për të shmangur faturën buxhetore të paarsyeshme, por mbi të gjitha, për të larguar përfundimisht drejtimin politik nga Garda e Republikës dhe për ta shndërruar në një institucion modern, profesional, efektiv dhe eficient. Sot fillon procesi i reformës më themelore në këtë institucion, ndoshta më i rëndësishmi në 85 vitet e ekzistencës së këtij institucioni. Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë. Brenda 100 ditëve, do të ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit, për t’i dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, e cila nuk do të varet më nga ministri i Brendshëm, siç ishte deri më sot Garda e Republikës, por do të jetë në zinxhirin e kompetencës dhe përgjegjësisë së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, deklaroi Tahiri në takimin e parë dhe të vetëm publik që ka pasur me strukturat e Gardës së Republikës dy javë pasi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme.

Etiketa: , ,
Të fundit