Harruet se gjithçka s’blehet edhe falë n’qoftë II


E mërkurë, 11 Nëntor 2020

(Rrëfimi i dytë te Gjeneral Ademi)

Jo, përgjigjën s’e mora prej Ibrahimit n’Velani!
S’do ta marr as prej teje n’Prekaz e di, por fjalën dikujt po m’duhet me ia thanë.
Ata s’na morën Adem!

Shkuem tue ngreh vetvetën me lakun e lidhun rreth qafës, si gurin e Çakorrit t’falun. Kullës e Debelldesë!

E votuem zezditën n’Parlament, tash e pesë vite para, tue kujtua se gropën po ia bajmë vëllaut e kullosat e bleme me krunde po na mbesin badihava!

S’i denuem ne, se fëmijët tanë. S’i mallkuem! S’folem!
Çlirimtarë zbritën nga malet e si të tillë i ruejtëm.
Jo Gjeneral. S’i spiunuem!

S’pati nevojë, se dy dekada folën deputetët, ata që paten imunitet.
Ku guxuem ne?!

I quejtën vrasës! Hajna t’milionave! Bosa t’hoteleve! Padrona t’karburanteve, cigareve, shtëpive luksoze! Bile edhe Roze! Shitësit e atdheut. Po se Çakorrin e shitën për postin e Kryeministrit!
E ata t’inatosun përgjigjeshin: Jemi vipa, jemi pushtet, jemi çlirimtarë! Komandanta jemi.

Ç’janë milionat? Secili n’Kosovë i ka nga dy milion!
E veteranët bajshin vetvrasje! Këta pëkuleshin të varret e xhelatit!
E fjala shkoi n’Specialën e votueme nga vet ata.

Këta shkuen tue ngreh lakun e tue mpreh thikën vet, si cjapi të kasapi.
Tash milionat na i merr Malejzia, Anglia, Franca, Gjermania…! Avoketët na i marrin Gjeneral Adem, neve, jo atyne, se paret e popullit janë! E pap veteranët vdesin n’skamje!

Ata do t’kthehen Gjeneral, se hajnitë s’janë krime po thonë. Evropën s’e kanë vjedhë, po Kosovën. Aiii, punë e madhe! Do t’vonohen pak mu kthye, por shtëpitë luksoze e pasuninë aty do ta kenë, siç i gjetën para tyne Fatmiri e Ramushi e do t’bajnë yrish me iu futë prap pushtetit n’gji për me mujtë me i kthye milionat e humbun! E prap do t’grushtohen për postin e Presidentit e t’Kryeministrit

Sa t’marrë jemi more Gjeneral Adem! Dy dekada i kemi mallkua e për dy minuta na shtinë n’gjynah kur i pamë n’gjykatore! A kaqë të dhimbshëm ishin edhe me ty? Unë tre muej bajsha prova n’skenë, për me mujtë me i mallëngjye treqind spektatorë n’sallë, e këta për vetëm dy minuta pa kurrfarë provash, i mallëngjyen tre milion shqiptarë!

Jo, ne s’na lanë as shiu as lumi as deti! Lindem t’shpërlamë!

Autor: Çun Lajçi

Etiketa:
Të fundit