E hënë, 11 Qershor 2018
Prizren – Është kthyer në rivlerësim aktiviteti i prokurimit me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” i iniciuar nga Komuna e Prizrenit pas ndërhyrjes së kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka.
“Anulohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” dhe lënda rikthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Paneli shqyrtues ka konstatuar se Komuna e Prizrenit nuk e ka bërë rivlerësimin e këtij aktiviteti të prokurimit komfor vendimit të OShP-së, por e ka anuluar të njëjtin me vendim të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka.
Gjithashtu, Paneli shqyrtues ka konstatuar se Komuna e Prizrenit ka vepruar në kundërshtim me nenin 62 të LPP-së me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit, pasi që në këtë rast nuk është plotësuar asnjëra nga kushtet e parashikuara në këtë dispozitë.
Është sqaruar se asnjë dispozitë ligjore nuk parasheh që me vendim (ndërhyrje) të kryetarit të komunës mund të anulohet një aktivitet i prokurimit, sepse të gjitha procedurat e anulimit të një aktiviteti të prokurimit parashihen edhe me nenin 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik (RrUOPP).
“Ndërsa arsyeja e dhënë nga autoriteti kontraktues, po ashtu nuk përkon me ndonjërën arsye apo pikë të anulimit të parashikuar në këtë nen”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Paneli ka konstatuar se është formuar komisioni për rivlerësim të ofertave me 09.01.2018, ku i njëjti komision nuk e ka bërë rivlerësimin e ofertave, mirëpo vetëm ka rekomanduar me shkrim zyrtarin përgjegjës të prokurimit dhe kryetarin e komunës për anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Në vendimin e Mytaher Haskuës, kryetarit të komunës së Prizrenit për anulimin e tenderit për qasje më të lehtë në kala thuhet se komuna e ka anuluar projektin sepse është projektuar kundër ligjeve në fuqi, specifikisht në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.
“Objekti i projektuar është vendosur vetëm 5 metra larg objektit monumental të kalasë, gjersa është dashur të jetë mbi 50 metra larg”, thuhet në vendim.
Gjithashtu sipas këtij vendimi baza e stacionit 1 dhe 2 të teleferikut e tejkalon në sipërfaqe madhësinë e lejuar me ligj.
“Baza e stacionit 1 është rreth 375 metra katrorë, ndërsa ajo e stacionit 2 është 397 metra katrorë. Projekti ndërtohet mbi shkëmbin e kalasë, ku nuk mund të bëhen shpime, sepse bëhet prekje në morfologjinë e nën kalasë – pjesa shkëmbore”, vazhdon vendimi.
Po ashtu është theksuar se projekti nuk ka leje nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, nuk ka pëlqim të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, për këtë projekt nuk është konsultuar Instituti Arkeologjik, se nuk ka analizë të impaktit natyror dhe impaktit kulturor.
Njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit është përgatitur në muajin prill të vitit 2017 dhe afati për operatorët ekonomikë për dorëzimin e aplikacioneve ka qenë deri në muajin qershor.
Tre operatorë kanë dorëzuar ofertat e tyre. Kompania “I. Seferi” me seli në Prizren ka ofertuar me një çmim prej 3 milionë e 411 mijë eurove. Konsorciumi “Energoremont D.D-Dega në Kosovë & Energoremont D.D & KAG Asphalt company” ka ofertuar me 3 milionë e 465 mijë euro, ndërsa operatori “Ekoinvest” me seli në Prishtinë ka ofertuar me 3 milionë e 296 mijë euro.
Komuna e Prizrenit ka vonuar plot 100 ditë vlerësimin e këtyre ofertave. Më 30 tetor 2017 ka vendosur që këtë tender të anulojë.
Kundër njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit operatori ekonomik “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë me datë 16.04.2018 ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek autoriteti kontraktues.
Me 20.04.2018.2018, autoriteti kontraktues ka marrë vendim për ta refuzuar kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik “Energoremont D.D. –Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë.
Operatori ekonomik ankues “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë, si palë e pakënaqur, ka deponuar ankesë në OShP, me 27 prill 2018, kundër njoftimit për dhënie të kontratës me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” , të iniciuar nga AK – Komuna e Prizrenit duke pretenduar se AK ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 6, 59, 62 të Ligjit për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës.
Gazeta JnK ka shkruar edhe për anulimin e tenderit për teleferikun e Prizrenit dhe shkeljet ligjore të konstatuara në këtë tender.
Etiketa: Aktuale, Gjykata e Tenderëve, Mytaher Haskuka, Prizren, Teleferiku