E diel, 8 Qershor 2025
“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë, dhe pastroje shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që bëjnë tavaf rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulen dhe bien në sexhde. Thirri njerëzit për haxhillëk, ata do të vijnë këmbësorë dhe kalorës (me mjete udhëtimi) prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara”. (El Haxh, 26-28).
Çdo ibadet apo adhurim i Zotit në këtë dynja, ngërthen në vetvete objektiva dhe dobi të shumta, dobi nga të cilat do të përfitojmë si në këtë botë po ashtu edhe në Botën e amshuar, pa marrë parasysh kemi arritur ose jo t’i zbërthejmë dhe t’i kuptojmë. Allahu i Madhërishëm në shumë versete kuranore sinjalizoi se asgjë në këtë univers nuk është krijuar pa një qëllim të caktuar, dhe çdo gjë në këtë botë bart një mesazh të krijimit të tij. Thotë Zoti I Madhërishëm në Kuranin fisnik: “A mendoni se Ne ju krijuam kot (pa ndonjë qëllim) dhe se ju tek Ne nuk do të ktheheni”. (El Muminun, 115), dhe në një ajet tjetër: “Ne nuk i krijuam qiejt e Tokën dhe ç’ka ndërmjet tyre pa ndonjë qëllim”. (Ed-duhan, 38). Një prej qëllimeve të krijimit të njeriut është përkushtimi dhe robëria ndaj Krijuesit të tij, mirëpo se si ta bëjë këtë përkushtim, më së miri e mësoi Zoti dhe i dërguari i Tij. Adhurimet janë ato që e mësojnë, e adaptojnë dhe e stërvitin njeriun se si t’i përkushtohet dhe të jetë i devotshëm ndaj Allahut Fuqiplotë. Edhe haxhi, si një prej obligimeve fetare dhe një prej shtyllave të Islamit, ka objektivat, dobitë dhe justifikimin e obligushmërisë së tij, në mënyrë që zemrën dhe mendjen e besimtarit ta bëjë sa më të lidhur me Krijuesin Fuqiplotë. Thotë Zoti i Madhërishëm në Kuran: “Thirri njerëzit për haxhillëk, ata do të vijnë në këmbë dhe me mjete udhëtimi prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara”. (El Haxh, 27-28).
Ibn Abasi r.a. nga ky ajet kuranor ka kuptuar se, me kryerjen e haxhit besimtarët përjetojnë dhe dëshmojnë dobi të shumta, si të kësaj bote, po ashtu edhe të Ahiretit.(1) Nuk ka dyshim se dobia kryesore nga haxhi është përmendja dhe adhurimi i Zotit të Madhërishëm, dhe krahas kësaj dëshmohen edhe dobi të tjera fetare, morale, politike, ekonomike, sociale etj. Ajo që vlen të theksohet në këtë kontekst, është se prej këtyre ibadeteve do të përfitojnë vetëm besimtarët e sinqertë, të cilët janë në gjendje t’i praktikojnë dhe respektojnë me përpikëri të gjitha urdhrat që dalin nga Zoti dhe i dërguari i Tij. Thotë Zoti i Madhërishëm në një ajet kuranor: “Ata që u binden urdhrave të Zotit dhe të dërguarit të tij, do të jenë prej atyre që Zoti i ka bekuar me të mirat e Tij…” (En-Nisaë, 69) Sa i përket dhuntive të haxhit, juristët islamë janë orvatur që të paraqesin disa prej tyre si:
Dobitë e Haxhit në aspektin fetar
Haxhi si obligim fetar konsiderohet një prej adhurimeve bosht dhe obligimeve kryesore në jetën e besim tarit. Ai motivon dhe përforcon besimtarin në aspektin shpirtëror. E motivon atë që të jetë më i devotshëm dhe më i përkushtuar ndaj fesë, e përgatit atë që të mundohet të ruhet dhe largohet maksimalisht nga mëkatet e tij. Zoti i Madhërishëm, me Urtësinë e Tij ka bërë që Haxhi të kryhet në vend të caktuar, në vendin ku ka zbritur shpallja nga ana e Zotit xh. sh., në mënyrë që besimtari t’i përjetojë nga afër argumentet dhe të ndodhet në vendin ku madhërohet Allahu xh. sh, të shohë Qabenë dhe Kiblen e tij, vendin ku ka jetuar dhe vepruar i Dërguari i tij, e gjithë kjo duke kërkuar falje dhe mëshirë nga Zoti i Madhërishëm, dhe që të jetë një nxitje shpirtërore dhe morale e tij, të jetë sa më afër fesë dhe praktikimit të mësimeve hyjnore, të cilat burojnë nga burimet dhe jurisprudenca islame.(2)
Dobitë e Haxhit në aspektin moral-etik
Edhe Haxhi, ashtu si ibadetet e tjera, përveçqë i premton besimtarit shpërblime të mëdha, i ofron edhe një leksion dhe mësim të mirë në aspektin moral-etik. Duke pasur parasysh se, gjatë kryerjes së Haxhit, ndalohen të gjitha veprat që konsiderohen jashtë rrethit të etikës së një haxhiu a besimtari të sinqertë. Thotë Zoti i Madhërishëm në Kuranin famëlartë: “Haxhi është (kryhet) në muaj të caktuar, e kush e bën (ia fillon të zbatojë) Hax hin në këtë muaj, nuk bën të flasë fjalë të ndyta (fjalë që kanë të bëjnë me kontakte bashkëshortore), nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, nuk bën të shkaktojë grindje e përçarje. Zoti është i Gjithëdijshëm për çdo vepër të mirë që punoni…”. (El Bekare,197). Ndërsa Muhamedi a.s. në një hadith ka nxitur shokët e vet dhe mbar Ymetin, që të jenë të kujdesshëm dhe të matur për fjalët dhe veprat e tyre gjatë kryerjes së ceremonisë së Haxhit. Ai thotë në një hadith: “Kush e kryen Haxhin duke qenë i kujdesshëm për fjalët dhe veprat e tij, ai kthehet në shtëpinë e tij i pastër nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur e ëma”.(3)
Dobitë e Haxhit në aspektin politik
Haxhi konsiderohet si një kongres i madh dhe vend takim vjetor për myslimanët e botës mbarë; aty myslimanët afrohen dhe vëllazërohen me njëri-tjetrin, ndihen si të bashkuar. Gjatë kryerjes së Haxhit myslimanët kanë një rast ideal të njoftohen për zhvillimet dhe progreset e tyre, për problemet dhe barrierat me të cilat ballafaqohen. Kanë mundësi bashkëpunimi në të gjitha sferat e jetës, si në aspektin politik, ushtarak etj.
Pra, Haxhi si ibadet i Zotit, luan një rol pozitiv edhe në aspektin politik, sepse i mëson dhe u jep ide muslimanëve që të jenë sa më të bashkuar, u jep ide që të jenë të lirë në lëvizjet e tyre, të kenë një hapësirë dhe qendër të përbashkët, ku do të gravitojnë të gjithë, t’i heqin të gjithë kufijtë dhe barrikadat që i kanë prodhuar egoizmat e ndryshëm politikë, e të jenë sa më të afruar dhe të bashkuar.(4)
Dobitë e Haxhit në aspektin ekonomik
Është shumë normale që Haxhi është një prej obligimeve që, krahas dobive dhe të mirave që na sjell në botën tjetër, sjell të mira dhe dobi ekonomike edhe në këtë botë. Haxhi është një vendtakim i madh i besimtarëve; aty vijnë miliona myslimanë dhe haxhilerë nga vende të ndryshme të botës, e tërë kjo nuk mund të bëhet pa derdhjen e madhe të të mirave materiale, sepse aty ka nevojë për transport, shpenzime, ndërrim parash, blerje të kurbaneve, shpenzime për banim dhe ushqim. Me një fjalë, aty përfitojnë një numër i madh i besimtarëve në aspektin ekonomik.
Në anën tjetër, këto shpenzime nuk konsiderohen stërngarkesë për haxhilerët që i derdhin këto të mira materiale, sepse të gjithë ata vijnë prej shtresës së myslimanëve të pasur për faktin se Haxhi si obligim fetar është vetëm për ata që kanë mundësi financiare për ta kryer.
Dobitë e Haxhit në aspektin social
-Njerëzit në këtë dynja janë të kategorive të ndryshme, me pozita dhe përgjegjësi të ndryshme, me profesione dhe zeje të ndryshme, në gjendje ekonomike të ndryshme dhe kombësish të ndryshme. Haxhi në këtë aspekt luan një rol jashtëzakonisht pozitiv, që në një farë mënyre, edhe në aspektin social të ketë një afri në mes tyre, dhe secili të ketë komoditet para tjetrit. Me kryerjen e Haxhit, të gjitha këto kategori njerëzore bashkohen kallëp jetësor të njëjtë, në mënyrë në një barazi dhe modesti në mes këtyre njerëzve, dhe kjo duke bartur të njëjtën uniformë, duke kryer rituale të njëjta, në të njëjtin vend, me një thirrje (telbije) të njëjtë, bile – bile me një qëllim të njëjtë. E tëra kjo, pa asnjë dallim të kryetarit nga qytetari, gjeneralit nga ushtari, të bardhit nga i ziu, pasanikut nga i varfri etj.. Të gjithë kalojnë një kohë të caktuar duke bërë një jetë të të njëjtë, të koordinuar mirë, duke respektuar rendin, kohën dhe të gjitha ritualet e Haxhit.
Haxhi vepër që garanton Xhenetin
– Për çdo vepër të mirë që kryen njeriu në këtë dynja, do të ketë shpërblime ditën e Gjykimit, pa marrë parasysh nëse ajo është prej veprave të mëdha a të vogla. Allahu i Madhërishëm thotë në një ajet ku ranor: “Kush kryen një vepër të mirë, edhe (nëse është) sa grimca, do të gjejë shpërblimin e saj”. (Ez-zelzele, 7) Mirëpo shpërblimi më i madh na pret për ato vepra ose ibadete që janë detyrime dhe kryesore për besimtarin në këtë dynja, e një prej tyre është pa dyshim Haxhi. Aq të shumta janë thëniet e Pejgamberit a.s. që flasin për shpërblimin, vlerën dhe rëndësinë e haxhit, saqë disa prej atyre thënieve tregojnë qartë se Xheneti do jetë shpërblimi më i madh që e pret haxhiun atë ditë kur do të dalë para Zotit të tij. Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. kishte thënë: ‘’Për haxhin e pranuar tek Allahu xh.sh. nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit”.(5) Ndërsa në një hadith tjetër të transmetuar po ashtu nga Ebu Hurejra r.a., kur një ashab e kishte pyetur Pejgamberin a.s. se cila është puna më e mira dhe më e vlerësuara në këtë dynja, Pejgamberi a.s. ishte përgjigjur: “Besimi në Zotin dhe të dërguarin e Tij”. Ashabiu kishte pyetur herën e dytë: Pastaj cila? Pejgamberi a.s. ishte përgjigjur: Haxhi i pranuar tek Allahu xh.sh..(6)
Në fund, E lus Zotin e Madhërishëm që çdo besimtari t’ia mundësojë kryerjen e këtij ibadeti, i cili konsidero het burim i të mirave të kësaj bote dhe vepër që garanton Xhenetin para Allahut Fuqiplotë.
________________
1. Tefsiri i Ibni Kethirit (3/429).
2. Për normat e haxhit dhe dobitë e tij Shih: “I’lamul-enam sherh bulugul-muram’’ f. 2: 465-572, Prof. Dr. Nuredin Iter.
3. Transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi.
4. Disa prej dobive të haxhit i përmend Vehbi Sulejman Gavoxhi në librin e tij “Erkanul-islam” (785-790).
5. Transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi.
6. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.