Holanda bllokon statusin për Shqipërinë


E premte, 13 Dhjetor 2013

Parlamenti holandez ka votuar kundër propozimit të qeverisë për dhënien e statusit kandidat për anëtarësimin në BE të Shqipërisë duke parandaluar miratimin e vendimit në samitin e Brukselit më 19-20 dhjetor.

Parlamentin holandez miratoi dje një vendim që detyron qeverinë e kryeministrit, Mark Rutte të kundërshtojë propozimin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Ky zhvillim pritet të hedhë në erë shpresat për integrim të vendit të Ballkanit Perëndimor, që sipas KE-së ka plotësuar kushtet e kërkuara dhe duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Një zëdhënësi i parlamentit holandez, i ka thënë “EurActiv”, se Partia VVD e Rutte ka votuar kundër hapjes së dyerve të BE-së për Shqipërinë ndërsa partnerët e koalicionit të tij kanë votuar pro.

Të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me zgjerimin e BE-së merren me votë unanime. Kjo do të thotë se Shqipëria ka humbur shansin për t’u bërë vend kandidat në samitin e 19-20 dhjetorit, ndryshe nga seç pritej.

Holanda ishte pengesë dhe për dhënien e statusit kandidat për Serbinë. Ky vend gjithashtu ka kundërshtuar edhe përfshirjen në zonën Schengen të Bullgarisë dhe Rumanisë ndryshe nga mendimi i KE-së që shprehej se vendet kanë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.

Ky zhvillim pritet që të tërbojë Parlamentin Evropian. Eurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç, reporteri për Shqipërinë, dje theksoi se Këshilli i BE-së duhet ta bëjë Shqipërinë zyrtarisht vend kandidat për anëtarësimin në BE pa asnjë vonesë mbështetur tek progresi i saj me reformat. Për këtë, PE miratoi edhe një rezolutë./shekulli

Etiketa: ,
Të fundit