E hënë, 14 Shtator 2015
Amsterdam – “Shqiptarët kanë një rol më të rëndësishëm në botën e krimit”. Kështu shkruan gazeta holandeze “De Telegraaf”, lidhur me grupet kriminale të organizuar nga shtetasit shqiptarë.
“Mafia shqiptare po përparon”, këtë titull i ka vendosur shkrimit gazetari Mick van Wely. Në artikull thuhet se, grupet kriminale shqiptare kanë mundur të përfitojnë para të shumta në rrugë joligjore, kryesisht me trafikun e drogës.
Sipas gazetarit, shqiptarët në Holandë janë të përfshirë në një sërë vrasjesh brutale ende të pazbardhura, si edhe në tregtinë e kokainës.
Policia i frikësohet së tepërmi ambicies së grupeve kriminale shqiptare. Këta të fundit cilësohen si, shumë të dhunshme dhe të mobilizuar.
Ndërsa sipas statistikave, shqiptarët përbëjnë një numër të madhe të të kërkuarve në listën e Interpolit. “Nga 381 të kërkuar të rrezikshëm nga Interpoli, 160 janë shtetas shqiptarë, një shifër e frikshme në raport me popullsinë prej 3.6 milionë banorë”, thuhet në artikull.
Etiketa: Holanda, mafia shqiptare