Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e OBI-t


E enjte, 12 Shtator 2013

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), Ekmeleddin Ihsanoglu.

Gjatë bisedës, Hoxhaj e ka njoftuar Ihsanoglun për forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe avancimin subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj e ka falënderuar Ihsanoglun për angazhimin e tij në rritjen e numrit të njohjeve, duke kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme për njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka përsëritur qëndrimin se vendet e mbetura anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, tashmë nuk kanë asnjë arsye politike apo legale që të mos e njohin Republikën e Kosovës, duke iu referuar faktit se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës është i pandalshëm dhe me një gjeografi globale.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu, ka siguruar se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen e kësaj organizate në përmbylljen e procesit të njohjeve. /Telegrafi/

Etiketa: , ,
Të fundit