Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë


E premte, 26 Korrik 2013

Bërdo, 26 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në konferencën e Bërdos, në Slloveni, ka zhvilluar takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Aldo Bumçi dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki.

Gjatë takimit me ministrin Bumçi, Hoxhaj ka vlerësuar përkrahjen e madhe që ka dhënë Shqipëria për Kosovën, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Hoxhaj tha se Shqipëria është një partner i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, duke theksuar rolin e madh që ka luajtur Shqipëria në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare e rajonale.

Ministri Bumçi vlerësoi progresin e Kosovës në të gjitha fushat, me theks të veçantë në avancimin e fuqishëm të agjendës integruese evropiane, pas hapjes së negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Ndërkaq, gjatë takimit me homologun maqedonas, Nikola Poposki, ministri Hoxhaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë bilateral ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Dy ministrat kanë biseduar për thellimin e këtij bashkëpunimi në shumë fusha, veçanërisht në ekonomi, tregti, arsim dhe kulturë.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki, ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në nisma dhe organizata rajonale, evropian dhe ndërkombëtare.

Gjatë pjesëmarrjes në samitin e Bërdos, ministri Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me homologët e tjerë të vendeve të rajonit.

Të fundit