“I dhashë 270 mijë euro gjyqtarit të EULEX-it”


E shtunë, 1 Nëntor 2014

Prishtinë – Florim Hasani, vëllai i Besnik Hasanit, i dënuar me 33 vjet burg për vrasje të trefishtë në Kaçanik rrëfen se i ka dhënë, në mënyrë indirekte, 270 mijë euro ish-gjyqtarit të EULEX-it, Francesco Fiori, për lirimin e vëllait të tij. Mirëpo, sipas tij, ky i fundit nuk u lirua pasi, ata u tradhtuan nga Nusred Cena, po ashtu i dënuar si bashkautor i vrasjes.

“Vëllai im ishte dënuar vetëm sepse u tradhtua nga Nusret Cena, të cilit unë i besoja dhe i dhashë paratë që kisha mbledhur për t’ia dhënë gjyqtarit Fiori, që Besniku të lirohej”, tha Hasani për televizionin publik te Kosovës, “RTK”.

Ai shtoi se gjyqtari i mori paratë dhe se e liroi Nuretin, ndërsa vëllai i tij vazhdoi dënimin. Duke folur për mënyrën sesi paratë iu dhanë në dorë gjykatësit, Hasani foli në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku tregoi se ka qenë në Shqipëri me avokatin e vëllait të tij, Mahmut Halimi, që u takua me gjyqtarin, ndërsa po prisnin gjyqin në Drac. Ai tha se takimi zgjati për katër orë dhe më pas ata (Hasani dhe Halimi) u kthyen në Kosovë.

Sa për deklaratat e gjyqtarit Francesco Fiori, mediet kosovare raportojnë se ai i ka quajtur këto akuza “shpifje”.

Etiketa: , ,
Të fundit