E premte, 17 Prill 2026

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) ka paralajmëruar se Evropa mund të përballet me anulime fluturimesh kah fundi i muajit maj për shkak të mungesës së karburantit për avionë ndërsa ndërprerjet e furnizimit të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rëndojnë tregjet globale, transmeton Anadolu.
“Vlerësimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) për mungesat e mundshme të karburantit për avionë është shqetësues”, tha drejtori i përgjithshëm i IATA-s, Willie Walsh.
Walsh tha se grupi i industrisë gjithashtu ka vlerësuar se “kah fundi i majit mund të fillojmë të shohim disa anulime në Evropë për shkak të mungesës së karburantit për avionë”, duke shtuar se ndërprerje të tilla tashmë po ndodhin në disa pjesë të Azisë.
Ai tha se linjat ajrore po përpiqen të sigurojnë rrugë alternative furnizimi, por theksoi se edhe qeveritë duhet të përgatisin plane rezervë në rast se bëhet i nevojshëm racionalizimi i karburantit. “Së bashku me përpjekjet për të siguruar linja alternative furnizimi, është e rëndësishme që autoritetet të kenë plane të mirë-komunikuara dhe të mirë-koordinuara në rast se racionalizimi bëhet i domosdoshëm”, tha Walsh.
Paralajmërimi erdhi pas vlerësimit të IEA-së se vendet evropiane mund të përballen me mungesë të karburantit për avionë brenda gjashtë javësh, pasi furnizimet nga Lindja e Mesme po bien për shkak të luftës me Iranin.
IEA tha për Anadolu se perspektiva do të varet nga fakti nëse vendet evropiane mund të zëvendësojnë furnizimet e humbura nga Lindja e Mesme me importe nga tregje të tjera ndërkombëtare. Ajo theksoi se Lindja e Mesme përbën 75 për qind të importeve neto të karburantit për avionë të Evropës.
Çmimet e energjisë janë rritur dhe mungesa janë shfaqur në disa lloje karburanti, pasi lufta me Iranin, e cila nisi më 28 shkurt, shkaktoi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe sulme ndaj objekteve energjetike. Rritja e kostove të karburantit dhe presionet në furnizim kanë shkaktuar tashmë ndërprerje dhe anulime fluturimesh ndërsa qeveritë në Azi dhe Evropë janë përpjekur të kufizojnë pasojat.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
