Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

IKD reagon rreth zbatimit të drejtësisë selektive

Prizren Post | 15:27 - 03.09.2015

Prishtinë – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon fuqishëm për zbatimin e drejtësisë selektive nga institucionet e drejtësisë.

IKD përkrah institucionet e drejtësisë në luftimin efikas dhe efektiv ndaj të gjithë shkelësve të ligjit pa dallim, duke aplikuar praktika dhe standarde të larta dhe uniforme siç përcaktohet me Kushtetutë, ligje dhe standarde ndërkombëtare. Gjatë luftimit të kriminalitetit nga institucionet e autorizuara me ligj, IKD kërkon nga të njëjtat që funksionet e tyre t’i ushtrojnë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe para ligjit të sigurojnë trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, shoqatave apo lidhjeve politike, besimeve fetare, gjendjes apo të metave shëndetësore, apo pozitës shoqërore, sikurse është e përcaktuar me ligj. Ushtrimi i këtyre kompetencave duhet të bëhet në mënyrë efikase dhe efektive dhe në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet e zbatueshme dhe parimet e pranuara ndërkombëtarisht për mos-diskriminimin, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

Rasti i të pandehurit A.M., është një tregues i qartë i brishtësisë dhe zbatimit të drejtësisë në mënyrë selektive dhe persekutimit që zbatohet nga prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë. Hetimi, ndjekja penale dhe gjykimi i rastit në fjalë brenda një kohe relativisht të shkurtër, ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin e publikut se ndërhyrjet e politikës janë të pashmangshme në këtë sektor kaq të rëndësishëm që për mandat kanë zbatimin e ligjit.

Inicimi, hetimi dhe gjykimi në shkallë të parë në një afat relativisht të shkurtër të rastit të të pandehurit A.M. krijon me të drejtë perceptimin se zbatimi i drejtësisë nga sistemi i drejtësisë bëhet në mënyrë selektive. Një konstatim të tillë, IKD e mbështet në faktin se janë me qindra raste të kërcënimeve të natyrës së njëjtë sikurse rasti i të pandehurit A.M., të cilat janë bërë edhe publike dhe për të cilat nuk ka pasur një efikasitet të tillë nga organet e drejtësisë. Fakti se në këtë rast të shqyrtuar në një kohë relativisht të shkurtër kanë qenë të përfshirë si viktima zyrtarë të lartë shtetërorë apo familjarë të zyrtarëve të lartë shtetërorë, krijon dyshime për ndikime të drejtpërdrejta të politikës apo nënshtrim të bartësve të funksioneve prokuroriale e gjyqësore ndaj politikës.

IKD përshëndet dhe inkurajon zgjidhjen e cilitdo rast të denoncuar dhe dënimin e cilitdo shkelës të ligjit, por kërkon që kjo të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe në të gjitha rastet, ashtu siç garantohet me legjislacionin pozitiv dhe standardet ndërkombëtare.

IKD vlerëson se është e papranueshme që zbatuesit e ligjit në organet e drejtësisë, nuk e dëshmojnë të njëjtin efikasitet dhe vullnet për të luftuar me sukses veprat e nagjshme penale, ato të korrupsionit apo veprat tjera penale kur të dyshuar janë figura politike apo familjar të tyre. Kjo vërtetohet fare lehtë me procedurat e tej zgjatura të hetimeve, ndjekjeve penale apo proceseve maratonike gjyqësore kur janë në pyetje njerëz të politikës apo njerëz me ndikim në Kosovë.

IKD ngritë shqetësimin për zbatimin e drejtësisë selektive dhe kërkon efikasitet të mekanizmave të llogaridhënies për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata zbatues të ligjit, të cilët nuk kanë dëshmuar vullnet për të zgjidhur me dhjetëra raste kur të kërcënuar dhe kanosur janë qytetarët e rëndomtë, gazetarët dhe përfaqësues tjerë të medieve. Në këto raste zbatuesit e ligjit, procedurat i zgjasin me vite, rastet nuk i trajtojnë fare, dhe një numër i madh i tyre edhe mbyllën për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale, dhe me ketë amnistohen kryesit e këtyre veprave nga ndjekja penale dhe gjykimi për veprat penale të kryera.

Përderisa, pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje, zbatimi i saj në praktikë, në vazhdimësi dëshmon të kundërtën, duke aplikuar standarde të dyfishta nga vet prokuroritë dhe gjykatat, duke i trajtuar qytetarët e Kosovës në mënyrë të pabarabartë, varësisht prej pozitës së tyre në shoqëri apo lidhjeve politike dhe biznesore.

Praktika e zbatuar në rastin A.M., nëse e njëjta krahasohet me praktikat e zhvilluara në rastet tjera të qytetarëve, apo me rastet tjera kur janë kërcënuar gazetarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, deputetë apo zyrtarët e tjerë, të cilët nuk kanë përkrahje politike, bie ndesh me parimet e pranuara ndërmbëtarisht për mos diskrimin, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, duke aplikuar drejtësi selektive dhe persekutuese.

Sistemi gjyqësor dhe prokurorial në rastin e lartë përmendura ka dështuar të dëshmojë dhe të bindë publikun se ka vendosur në mënyrë të pavarur, paanshme dhe të barabartë, dhe i pa ndikuar politikisht, duke pasur parasysh se kanosja është drejtuar ndaj të birit të Kryeministrit dhe një ministri në Qeveri. Pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial gjatë trajtimit të rasteve përbën një element thelbësor në një shoqëri demokratike ku sundon ligji.
IKD rikujton se me qëllim që të vërtetohet se një gjykatë është e pavarur (sipas nenit 6 paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut) në një shoqëri demokratike, rol kyç luajnë, besimi i publikut dhe paraqitja e gjykatës në sytë e publikut, në raport me të pandehurin gjatë procesit gjyqësor. ( rasti Şahiner v. Turkey, § 44).

Në rastin e të pandehurit A.M. i cili ka përfunduar në shkallë të parë në afat relativisht të shkurtër dhe të pakrahasueshëm me rastet e tjera, ku të kanosur janë zyrtarë të lartë të shtetit dhe familjarë të tyre, dëshmon se këto fakte me të drejtë perceptojnë trajtimin e këtij rasti nga gjyqësori si zbatim i drejtësisë selektive.


Etiketa:
Arivisti Company