Informimi si ushqim (Nëse e mendoni informimin dhe konsumimin e tij në mënyrën si mendoni për ushqimin, çfarë do të ndryshonit?)


E shtunë, 30 Dhjetor 2017

Autor: Urall BOSHNJAKU

Informimi është ushqim. Njejtë sikur ushqimi për barkun, funksionon edhe informimi për trurin.
Ushqimi që ne konsumojmë çdo ditë përveç se kalon nëpër shumë filtra të atij që e pregatit, kalon edhe nëpër filtrat e atij që e përdorë atë. Ne shpeshherë dijmë të zgjedhim se çfarë do të konsumojmë në mënynë tonë ditore, dhe se cilin ushqim do e hamë sot.

Edhe informacioni që ne e marrim kalon nëpër të njëjtin proces, ai kalon në filtrat e atij që e pregatit, por sa kalon nëpër filtrat e atyre që e konsumojnë atë si ushqim për trurin?

Sot, informimi nënkupton gjithçka, nisur prej komunikimit si proces që na përcjell qysh në momentin kur hapim sytë në mëngjes, me alarmin e telefonit që është një medium masiv e deri në momentin kur mbyllim sytë. Çdo gjë që hasim në suaza ditore është një premisë informimi për të cilën pak mendojmë se sa e filtrojmë dhe se sa e zgjedhim konsumin. E ushqimi? Ushqimi është ndër të paktat gjëra që ne i filtrojmë deri në detaje.

Gjithçka do ndryshojë atëherë kur informimin do e konsiderojmë si ushqim, e veten si robot të mvarur nga informimi që përbën ushqimin parësor në një botë multifunksionale të digjitalizuar. Nëse të dhënat që marrim nga burime të ndryshme informimi do bëheshin faktorë kyç të energjisë sonë për funksionim, njejtë si është ushqimi për energjinë tonë metabolitike, atëherë filtrat nëpër të cilat do kalonte procesi i informimit do i sofistikonim shumë më shumë.

Shekulli në të cilin jetojmë është shekulli i “post informimit”, kalimi nga shoqëri e industrializimit në shoqëri të kompjuterizimit të informatës, përhapjes masiv të informatave gjithandej. Vihet në pyetje se sa filtrohen këto informata para se të servohen për konsum? Nuk do shumë mend që jo çdo informatë që e hasim ka 100% saktësi, kjo si rrjedhojë e dështimit të procesit të filtrimit të informatës. Për dallim që jemi të aftë të kthejmë mbrapsht një ushqim i cili nuk është pregatitur dhe filtruar mirë, ne shumë pak jemi të aftë të kthejmë mbrapsht apo të mos e pranojmë një informatë që na servohet në tavolinën ditore të informimit.

Ka shumë mëyra për konsumim të ushqimit; të blesh, të gatuash, të shkosh në restaurant, etj. Njashtu ka edhe shumë mënyra të informimit, nisur nga mjete të ndryshme për informim, qoftë radio, televizion, billborde, reklama, internet, etj. Kur zgjedhim mënyrën se si duam të ushqehemi ne shpesh pyesim barkun, por shumë më pak e pyesim trurin atëherë kur konsumojmë ndonjë informtë, pa e zgjedhur fare mënyrën se si po informohemi.

Nëse informimi do ishte ushqim, dhe nëse ne do ishim robotë të cilët informimin do e kishin ushqimim, çdo informacion që do e kishim përpara do e filtronim para se ta merrnim në dorë, do interesoheshim për mënyrën se si është kultivuar (a është organik apo është i flasifikuar?), hapësirën ku është kultivuar, si është përgatitur?, A është destiluar (ndarë dhe shpërndarë) apo fermentuar (i mbledhur i tëri në një vend dhe i përzgjedhur për servim) si informacion?, e kështu me radhë. Këto ndryshime në mënyrën e çasjes ndaj informimit, përveç që do na bënin shumë më selektivë, do na ruanin edhe nga dhimbjet apo helmimet.

Mënyra e përzgjedhjes së informatës do na bënte të kuptonim se esenca nuk qëndron në prodhim të mbingarkuar, por në konsum racional të produktit. Ne asnjëherë pas ushqimit nuk themi se jemi mbingarkuar me ushqim, ndërsa shpeshherë ankohemi se ka mbingarkesë informacioni dhe se kjo është e tepërt, e gjithherë problemi qëndron te konsumimi.

Nëse informimi do ishte ushqim, atëherë kërkesa që proporcioni i trurit te jetë shumë më i madh sesa proporcioni i stomakut do rritej. Edhe pse biologjikisht kjo mbetet e tillë në raport me masën e trupit, njerëzit prapë i kushtojnë më shumë rëndësi mbushjes së stomakut me gurmanitet, sesa mbushjes së trurit me precizitet në përzgjedhje. Konsumi i informacionit në vend të ushqimit do na bënte më selektiv në raport me konsumin formal të pa logjikuar të informatave aktualisht. Informimi është ushqim i trurit, truri është i madh mjaftueshëm, ne nuk duhet të mbushim trurin me ushqim të panevojshëm, por duhet te jemi gurmanë në seleksionimin e ushqimit për trurin tonë, kjo do e ndryshojë raportin tonë ndaj çasjes në infomata.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: ,