E martë, 19 Gusht 2014
Ka pasur shumë raste në të kaluarën ku telefonat inteligjentë kanë marrë flakë. Për shembull, iPhone 5c mori flakë në xhepin e një studenteje, ndërsa një tjetër iPhone 5s ishte djegur, apo se si një Samsung Galaxy S4 kishte marrë flakë kur ishte ndër jastëk.
Të gjithë rastet mund të kenë shkaktuar panik tek përdoruesit, megjithatë është gjetur një mënyrë për të dalë nga situata. Por, çfarë mund të ndodhë nëse një iPhone merr flakë në mes të një fluturimi me avion? Kjo ka ndodhur gjatë fluturimit të një avioni që ishte nisur nga Izraeli për në Pragë.
Rreth 150 pasagjerë ishin ulur në bordin e avionit, kur filloi të dalë tym nga çanta e një vajze. Sapo hapi çantën ajo pa që iPhone 5 e saj kishte marrë flakë. Ky rast shkaktoi shumë panik tek pasagjerët, sidomos në momentin që panë se po dilte tym, por që nuk e dinin akoma se kishte marrë flakë iPhone 5.
Fatmirësisht, asnjë nga pasagjerët nuk ishte lënduar, ndërsa vajzës ia morën telefonin derisa avioni arriti në Pragë. Nuk është bërë i ditur ende shkaku se përse iPhone 5 mori flakë.