E hënë, 18 Gusht 2014
Një uebsajt kinez ka postuar imazhe dhe detaje të baterive të iPhone-ve të ardhshëm. Sipas kësaj faqeje kineze, e quajtur Apple Daily, Apple ka në plan të emërtojë telefonin inteligjent me ekran më të madh iPhone 6L, ndërsa për variantin më të vogël do të përdoret emërtimi iPhone 6.
Në imazhet e postuara në internet shfaqen panelet ballore të iPhone-ve me ekran 4.7 inç dhe 5.5 inç, ku nga krahasimi i tyre shihet se kanë përmasa të njëjta, vetëm ndryshon madhësia e ekranit. iPhone me ekran 5.5 inç ka anësore pak më të holla se varianti tjetër.
Nga imazhet kuptojmë gjithashtu se iPhone me ekran më të madh do të ketë një bateri me kapacitet më të madh, rreth 2915 mAh, ndërsa versioni pak më i vogël do të ketë bateri me kapacitet 1810 mAh.
Thuhet gjithashtu se iPhone me ekran 5.5 inç do të ketë një procesor më të fuqishëm A8, krahasuar me versionin tjetër. Informacioni i fundit në lidhje me bateritë mund të jetë një indikacion i dalë nga i njëjti burim, meqë procesori dhe ekrani më i madh kërkojnë edhe një bateri më të fuqishme.