“Irani nuk ka plane të takohet me SHBA-në për bisedime bërthamore”


E premte, 27 Qershor 2025

Irani nuk ka marrë asnjë vendim për të filluar bisedimet bërthamore me SHBA-në, tha ministri i Jashtëm Abbas Araghchi në një intervistë për televizionin shtetëror iranian, transmeton Anadolu.

Araghchi theksoi se Teherani ishte i angazhuar në negociata me SHBA-në kur Washingtoni mbështeti një sulm izraelit ndaj Iranit dhe më pas nisi sulmet e veta ajrore të drejtpërdrejta kundër objekteve bërthamore iraniane.

“Në negociatat e fundit, ata u përpoqën të na joshnin të hiqnim dorë nga të drejtat e kombit tonë. Kur ndodhën disa ngjarje të caktuara, ata imponuan luftë dhe e lëshuan regjimin kriminal sionist (izraelit) për të kryer sulme”, ​​tha ai.

Araghchi shtoi se SHBA-ja tradhtoi diplomacinë gjatë bisedimeve, një përvojë që do të formësojë vendimet e ardhshme të Iranit mbi negociatat.

“Megjithatë, diplomacia vazhdon dhe unë jam në kontakt me disa ministra të jashtëm”, ​​tha ai.

Duke iu përgjigjur pretendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një takim të planifikuar me Iranin javën e ardhshme, Araghchi e hodhi poshtë atë.

“Deri më tani nuk ka marrëveshje për ndonjë raund të ri bisedimesh indirekte me SHBA-në. Deklaratat e tyre janë plot kontradikta”, tha ai për televizionin shtetëror.

Një konflikt 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor pasi Izraeli nisi sulme ajrore në vendet ushtarake, bërthamore dhe civile iraniane, duke vrarë të paktën 606 persona dhe duke plagosur 5.332 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit.

Teherani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur më shumë se 3.400 të tjerë, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Hebraik i Kudsit.

Konflikti u ndal me një armëpushim të sponsorizuar nga SHBA-ja që hyri në fuqi më 24 qershor.

Të fundit