Irani vendos 5 kushte për bisedime të reja me SHBA-në


E mërkurë, 13 Maj 2026
Irani vendos 5 kushte për bisedime të reja me SHBA-në

Irani nuk do të hyjë në një raund të dytë negociatash me SHBA-në nëse nuk plotësohen pesë kushte për ndërtimin e besimit, transmeton Anadolu.

Duke cituar një burim të informuar, agjencia e lajmeve Fars tha se Teherani i konsideron këto kushte si “garanci minimale” të nevojshme për fillimin e çdo negociate të re me Washingtonin.

Sipas raportit, kushtet e Iranit përfshijnë “përfundimin e luftës në të gjitha frontet, veçanërisht në Liban”, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira iraniane, kompensimin për dëmet e luftës dhe njohjen e të drejtave sovrane të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Burimi tha se Irani gjithashtu i ka informuar ndërmjetësuesit pakistanezë se vazhdimi i bllokadës detare amerikane në Detin Arabik dhe Gjirin e Omanit pas armëpushimit ka forcuar më tej mosbesimin e Teheranit ndaj negociatave me SHBA-në.

Raporti shton se kushtet janë përcaktuar vetëm në kuadër të krijimit të besimit minimal për rikthimin në bisedime dhe se Teherani beson se negociatat e reja nuk mund të fillojnë pa zbatimin praktik të tyre.

Sipas agjencisë Fars, Irani i paraqiti pesë kushtet si përgjigje ndaj asaj që e përshkroi si një propozim amerikan me 14 pika.

Raporti pretendon se propozimi amerikan ishte “plotësisht i njëanshëm” dhe kishte për qëllim sigurimin përmes negociatave të objektivave që Washingtoni nuk arriti t’i realizojë gjatë luftës.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga presidenti amerikan, Donald Trump, pa një afat të caktuar.

Të dielën, Irani i dërgoi Pakistanit përgjigjen e tij ndaj një propozimi amerikan për përfundimin e luftës, por Trump e hodhi poshtë si “plotësisht të papranueshme”.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit