Italia pranon emigrantët, zgjidhje e përkohshme derisa BE të marrë masa


E martë, 24 Korrik 2018

Romë – Italia pranoi më në fund të lejojë ankorimin e anijeve të shpëtimit të emigrantëve derisa Bashkimi Europian të arrijë një marrëveshje për shpërndarjen e të mbërriturve të rinj.

Ministri i Jashtëm, Enzo Moavero Milanesi njoftoi se vendi i tij do të vazhdojë të pranojë anije për 5 javë, ndërsa BE-ja rinegocion politikën e saj ekzistuese.

Qeveria e re e djathtë italiane është duke ndjekur një linjë tepër të ashpër ndaj emigracionit. Italia është pika kryesore e hyrjes në Europë të afrikanëve që udhëtojnë përmes Mesdheut, por Roma këmbëngul që barra e tyre të ndahet mes vendeve anëtare të bllokut.

Në muajin qershor, kryeministri Giuseppe Conte paralajmëroi se zona e shengenit do të gjendej nën një rrezik të madh nëse Bashkimi Europian nuk arrin një konsensus mbi çështjen e emigrantëve. Të njëjtin muaj, qeveria italiane refuzoi t’i lejonte ankorimin më shumë se 600 emigrantëve në bordin e anijes së bamirësisë “Aquarius”, sinjali i parë i fortë i rezistencës së saj, që tashmë po bëhej realitet duke i kapërcyer kufijtë e kërcënimit verbal.

Anija u detyrua të devijonte kurs dhe të ndalonte në një port spanjoll. Italia refuzoi më pas edhe një tjetër anije të ndihmës, “Lifeline” e duket se do ta vazhdonte këtë linje po të mos ishte për valën e reagimeve të mëdha që ngjalli vdekja e një gruaje dhe fëmijës së saj, trupat e të cilëve u gjeten duke pluskuar në ujë.

Etiketa: ,
Të fundit