Izraeli: Me sulmin ndaj Iranit, SHBA-ja eliminoi kërcënimin më të madh ekzistencial


E hënë, 23 Qershor 2025

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara (OKB), Danny Danon, tha se me sulmin e tyre ndaj Iranit SHBA-ja ka eliminuar “kërcënimin më të madh ekzistencial me të cilin përballet bota e lirë”, transmeton Anadolu

“SHBA-ja, udhëheqësi i botës së lirë, ka eliminuar kërcënimin më të madh ekzistencial me të cilin përballet bota e lirë, ashtu si Operacioni ynë ‘Luani në Ngritje’”, tha Danon në fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS-OKB), i cili u mblodh pas sulmeve ajrore të SHBA-së mbi Iranin.

“Kjo nuk ishte një luftë e zgjedhur. Ky veprim ishte një domosdoshmëri”, tha ai në lidhje me sulmet ajrore të SHBA-së mbi centralet bërthamore të Iranit. Danon tha se Washingtoni “bëri lëvizjen e duhur për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe botën”.

Ai tha se i detyrohej mirënjohje SHBA-së dhe Presidentit amerikan, Donald Trump, “për ndërmarrjen e veprimeve kur shumë hezituan, duke mbrojtur botën e lirë me forcë dhe qartësi morale”.

Duke pretenduar se Irani e kishte shndërruar procesin e negociatave në një “teatër”, Danon pretendoi se diplomacia ishte “provuar shumë herë” gjatë këtij procesi, por se administrata e Teheranit “kishte plane të tjera”.

Danon pohoi në fjalimin e tij se Izraeli ishte “superior” ndaj Iranit për sa i përket moralit, duke theksuar: “Ata kërkojnë kaos, ne kërkojmë rend. Ata prodhojnë armë për të shkatërruar botën, ne krijojmë partneritete për ta mbrojtur atë”.

Të fundit