E premte, 20 Qershor 2025
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz paralajmëroi Hezbollahun të mos marrë pjesë në përleshjet midis Tel Avivit dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Katz iu përgjigj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Naim Qasem, në llogarinë e tij në mediat sociale lidhur me konfliktin që filloi me sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Duke kujtuar vrasjet e ish-udhëheqësve të Hezbollahut, Nasrallah dhe Hashim Safiyuddin, Katz tha: “Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut nuk ka marrë mësime nga paraardhësit e tij”.
Ai tha se “Qasem kërcënoi Izraelin me urdhër të qeverisë iraniane” dhe e paralajmëroi Hezbollahun “të jetë i kujdesshëm sepse durimi i Izraelit po mbaron ndaj grupeve që e kërcënojnë”.
Katz e paralajmëroi Hezbollahun të mos përfshihet në konfliktin midis Iranit dhe Izraelit, duke argumentuar se “nëse ata nisin sulme, do ta shkatërrojnë Hezbollahun”.
Qasim në një deklaratë dje tha se mbështesin Teheranin në sulmet e Izraelit ndaj Iranit, duke shtuar se “është detyra e tyre të mbështesin Iranin për të ndaluar sulmet izraelite”.
Në një deklaratë me shkrim, Hezbollahu tha se vrasja e udhëheqësit iranian, Ali Khamenei “do të kishte pasoja serioze”.