Ja kush i thotë Zotit “Jo”


E hënë, 16 Tetor 2017

Autor: Prof. Eroll VELIJA

    Epokat dhe kategoritë e filozofëve,shkencëtarëve dhe regjimeve që kanë injoruar “të gjithëfuqishmin”

Ja kush i thote Zotit “Jo”

Ateistet,besimtaret qe i “falen” vetëm antibesimit

Cilat janë besimet më të përhapura në botë? Sipas të dhënave të fundit, pjesa më e madhe e popullsisë beson në fenë e krishterë dhe atë myslimane. Por mes këtyre të dyjave ekziston edhe një “antibesim” që përfaqësohet nga 1,5 miliardë persona të paorganizuar, që në mënyrë individuale refuzojnë të njohin një kishë dhe të besojnë në Zotin e “propozuar” nga besimet fetare. Në përgjithësi këta njerëz janë përkufizuar si “ateistë” (fjalë që vjen nga greqishtja, “pa zot”). Por mes tyre ekzistojnë shumë dallime. Për shembull mund të flasim për ateistë epikurianë, hedonistë, neopaganë, skeptikë, semantikë (ata që mbështesin bindjen se është pa kuptim çdo diskutim rreth Zotit). Madje ka edhe pseudoateistë, siç janë përcaktuar ata që refuzojnë të besojnë te Zoti vetëm sepse u duket një mënyrë shumë e thjeshtë për t‘u shpëtuar përgjegjësive të tyre në botë.

Ç‘ËSHTË ATEIZMI

Ateizëm përkufizohet si botëpikëpamja dhe qëndrimi i njeriut jobesimtar, përkatësisht i mungesës së besimit në një “perëndi” (“besim” në kuptimin e “pranimit a njohjes si ekzistente”). Ateizmi është shprehimisht mohimi i ekzistencës së një “perëndie” (monoteizmit) ose shumë “perëndive” (politeizmit), apo i një “qenieje hyjnore” në përgjithësi. Kjo fjalë rrjedh nga greqishtja. Në trajtën e vet latine del si përcaktim për herë të parë i përmendur nga Ciceroni.

Përkufizimi ateist ishte për shumë kohë një përcaktim i kundërshtueshëm, që nuk u pranua në fillim nga mosbesimtarët, pra ateistët. Ishte një pritje fjalëkrijuese, që përdorej prej atyre që cilësoheshin si besimtarë të vërtetë kundër ose gjoja jobesimtarëve të vërtetë. Ateizëm në kuptimin “pa perëndi”, i pafe, përmendej në këndvështrimet që binin në kundërshtim me fetë themelore egjiptiano-judaike. Rrymat fetare me një përfytyrim vetjak mbi perëndinë emërtoheshin si ateiste në kohët e hershme, për shembull përfaqësues të feve monoteiste (besim në një “zot”) të kristianizmit, myslimanizmit dhe të judaizmit cilësoheshin pjesërisht nga kundërshtarët e tyre politeistë si ateistë. Sot emërtimi “ateizëm” përdoret me më pak përçmim dhe përbuzje. Në diskutimet shkencore, “ateizmi” është një emërtim asnjanës. Kundërshtari i tij është teizmi, pra besimi në “zot”.

MBI TË GJITHA  AGNOSTIK

Pjesa më e madhe e ateistëve është e përbërë nga agnostikët, domethënë nga persona që nuk e përjashtojnë në mënyrë kategorike prezencën e Zotit, por nuk shohin asnjë provë që të tregojë për ekzistencën e tij. Në vitet e fundit, kjo mungesë besimi ka arritur të pushtojë hapësira dhe iniciativa të ndryshme. Mbi të gjitha në vendet evropiane, ku sipas Papës Benedikti XVI, është duke u shfaqur “një valë laicizmi që e përjashton Zotin nga kultura dhe nga jeta publike” dhe që rrezikon të bëhet problemi kryesor në raportet mes vendeve myslimane ku akoma mbizotëron respekti i të shenjtës. Por kush janë në të vërtetë ateistët? Çfarë mendojnë ata? Ndoshta do të arrini ta kuptoni sa më mirë në radhët e këtij shkrimi.

A EKZISTON VËRTET BOTA E PËRTEJME?

Në të vërtetë ateizmi ka rrënjë shumë antike. Mund të konsiderohet laik “Epi i Gilgameshit” (i rreth 4 mijë viteve më parë), në të cilin heroit mesapotamik, Gilgameshit, i vidhet nga një gjarpër bima e pavdekshmërisë. Edhe pse në këngët e tij citohen zotat, mesazhi është i qartë: ajo që ja rëndësi nuk është që të mbijetosh pas vdekjes, por eksperienca njerëzore”. Që këtej del se i pari ishte Gilgameshi. Epopeja e tij tregon për një shoqëri shumë laike. Edhe në Egjiptin antik nuk mungonin skeptikët: “Asnjë nuk ka parë kurrë që të kthehet një person nga jeta e përtejme. Jeta pas vdekjes nuk ekziston”, është shkruar në gurin e një egjiptiani antik. Por ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se ka qenë shoqëria greke ajo që ka hedhur bazat e ateizmit. Që nga filozofët natyralistë grekë (shekulli 6 dhe 7 para Krishtit) të konsideruar si themelues të filozofisë, propozonin një vizion në një farë mënyre ateist: ata i shpjegonin fenomenet e natyrës me “kapriçiot” e zotave, por me principe natyrale si ajri, uji dhe zjarri. Pak më vonë, Leucipi dhe Demokriti (në shekullin e 5 para Krishtit), përcaktuan themelimin e universit dhe lindjen e realitetit nga takimi përmes atomeve. Ndërsa për Epikurin (346-270 para Krishtit) edhe shpirti është i formuar prej grimcave atomike dhe përfundon si trupi. Sipas tij, grimcat kanë formuar në mënyrë të rastësishme gjëra dhe qenie të gjalla. Me pas, asnjë krijesë nuk është krijuar nga Zoti. “Zotat edhe nëse ekzistojnë nuk interesohen për ne”, sugjeronte Epikuri. Edhe në Indinë antike politeiste, mësuesi i famshëm Ajita Kesa Kambali(shekulli i gjashtë para Krishtit), buzëqeshte me ironi përballë idesë së rimishërimit. Ndaj në atë kohë shkroi të famshmin “Tregim për inekzistencën e shpirtit”. Sipas Remo Bodei, pedagog i filozofisë në Universitetin e Pizës, Itali, “ateizmi në fillim nuk e përjashtonte ekzistencën e perëndisë, por evidentoi që kjo është totalisht pa asnjë rol dhe që sjelljet korrekte nuk lindin nga çmimet ose nga ndëshkimet e perëndisë, por nga fakti se janë të drejta për njeriun”. Megjithatë, ateisti i parë (që nuk pranonte asnjë rol të Zotit, madje as në krijimin e gjithësisë), në mënyrë paradoksale ka qenë një prift me emrin Jean Meslier (1664-1729). Volteri, “babai” i Iluminizmit në vitin 1762, hapi testamentin e Meslier-it, ku ishin shkruar mendimet e tij. Në të vërtetë prifti ishte një dishepull i fshehtë i Epikurit: “Nuk ka asnjë të mirë për të ndarë dhe asnjë të keqe për të pasur frikë pas vdekjes. Nëse keni mundësi, trajtojeni mirë veten, përfitoni nga koha, jetoni mirë, në paqe dhe kënaquni me sa të mundeni me të mirat e jetës dhe frytet e punës. Jeta e përtejme dhe Zoti nuk ekziston”, shkruhej aty.

 ZOTI? NJË MISTER

Sulmi më i vendosur dhe më i fortë për Zotin erdhi nga iluministët francezë dhe në veçanti nga baroni Paul Heinrich d‘Holbasch (1723-1789), në shtëpinë e të cilit mblidheshin bashkëpunëtorët e “Enciklopedisë”. Për Holbasch ligjet e materies nuk derivojnë nga një ndërhyrje hyjnore, por varen nga nevoja e gjërave për t‘u rregulluar mes tyre, ashtu si ndërrimi i stinëve që nuk vendoset nga Zoti, por nga rrotullimi i Tokës rreth Diellit. “Natyra, thoni ju, shkruante duke iu drejtuar kishës, është e pashpjegueshme pa Zotin. Për të shpjeguar atë që kuptoni pak, keni nevojë për leksione që të mësoni ato që nuk i shpjegoni dot”.

PO TË JETË I KEQ?

Megjithatë, vetëm në vitet 800 dhe 900 falë shkencëtarëve ateizmi filloi të përhapej shumë. Filozofi gjerman, Arthur Schopenhauer, (1788-1860) mohoi, duke parë lumturinë që nuk ekzistonte dhe të keqen që kishte pushtuar botën, më shumë sesa ekzistencën e Zotit shpresën se ai do të sillte mirësi. Më pas, Ludwig Feuerbach (1804-1872) mbështet se besimi është sinteza e aspiratave të njeriut, e “pajisur” nga natyra me urtësi, vullnet, drejtësi dhe dashuri. Njeriu kërkon, duke e bërë të shenjtë, t‘u japë më shumë vlerë këtyre rregullave së bashku dhe të japë një vlerë edukative. Besimi është një mënyrë për të edukuar njerëzimin me vlerat më të larta. Një tjetër filozof gjerman, Karl Max (1818-1883), themelues i komunizmit, tregonte se nëse ky është qëllimi i besimit, për të bërë pa atë mjafton të eliminosh shfrytëzimin dhe vuajtjet e shoqërisë. Në këtë pikë besimi, që është “opiumi i popujve”, domethënë një mënyrë për t‘i mbajtur të qetë, nuk do të kishte më arsye të ekzistonte.

OSE ËSHTË I PADOBISHËM, OSE KA VDEKUR

Në shekullin e kaluar, ndërsa ateizmi dhe “babai” i psikanalizës, Zigmund Frojd, studionte të pandërgjegjshmen dhe mbështeste fuqishëm se të çlirohesh nga fiksimi për ekzistencën e Zotit do të thoshte të emancipoheshe drejt një shoqërie të matur e të përgjegjshme, filozofi Friedrisch Nietzsche (1844-1900) thoshte me zë të lartë: “Zoti ka vdekur” dhe përshkruante me hollësi te kryevepra e tij, “Kështu foli Zarathustra”, se njeriu duhet të gjejë te vetja vlerat e tij. Filozofë të tjerë të quajtur ekzistencialistë dhe jo shumë larg nga pesimizmi i poetit ateist Xhakomo Leopardi (1798-1837), si shkrimtari francez Albert Kamy (1913-1960) dhe filozofi Jean-Paul Sartre (1905-1980), kanë mbështetur absurditetin e botës, duke e ftuar njeriun të “krijohej” vetë, e të vlerësonte jetën pa menduar se Zoti do t‘i ndihmonte të arrinin atë që donin. Ndërkaq, shkenca kishte hedhur bazat për kuptimin e një bote që arrin të bëjë edhe pa Zotin. Teoria e Evolucionit të Charles Darwin (1809-1882) na jep një shpjegim të besueshëm se si jeta ka evoluar nga format më të thjeshta të saj e deri te krijimi i qenies më të komplikuar, asaj njerëzore. Sipas disa kërkuesve, pjesa akoma pashpjegueshme e procesit të formimit të kozmosit është akoma ajo fillestarja, dhe nuk ka dalë asnjë teori e re. Domethënë ajo e “Big Bang”, shpërthimi nga i cili ka origjinën universi, që ka arritur të formohet në kohën prej 10-43, e cila është njësia më e vogël e kohës e matur deri më sot. Kjo është “teoria e gjithësisë”, e cila duket si e pashpjegueshme dhe e mbinatyrshme, por duke iu përmbajtur ligjeve të fizikës dhe kozmosit, do të kuptonim shumë shpejt këtë shpërthim dhe formimin e universit. Por, pavarësisht ligjeve dhe rregullave të fizikës dhe kimisë, kjo nuk përjashton ekzistencën e Zotit, i cili krijoi në fillim qiellin, tokën, kafshët dhe njerëzit. Dhe kjo duket sikur të kthen në një teori të vjetër të quajtur “deizëm”, të nxjerrë në vitet 600 nga filozofi anglez Francis Bacon, që e shihte Zotin si një superorë që ndërtoi kozmosin, pastaj e bëri të nisej dhe pastaj e la të vazhdonte në punën e tij.

MORALI LAIK

Por a mund të jetosh pa besim, pa vlerat e tyre?

Mungesa e besimit fetar nuk është domosdoshmërisht mungesë e rregullave morale. Historia ka treguar që ateistët nuk janë mëkatarë edhe pse nuk besojnë. Ja që është e mundur të vendosësh rregulla morale, të cilat nuk bazohen në ekzistencën e një force madhore. Shumë ateistë kanë luftuar për të mirën e njerëzimit. Kështu, ateizmi militant i shumë regjimeve komuniste propozonte një lloj besimi ndryshe. Për Michel Onfray, autor i “Manuale di teologia”, nuk është e vërtetë që vlerat e besimit janë kaq të qarta. “Librat e shenjtë siç janë për shembull Bibla dhe Kurani, përmbajnë në vetvete mesazhe kontradiktore, paqeje por edhe dhune, kundër tradhtarëve dhe sidomos grave”. Më shumë se sa kristianët, më tolerantë do të mendojnë baballarët e kishës si Shën Agostini, me nocionin e luftës së drejtë apo San Bernardo që hyjnizoi vrasjen e tradhtarëve për të ndryshuar mesazhin kristian. “Një Zot i mirë nuk do të kishte lejuar kurrë tmerret e kryqëzatave, pengjet dhe vrasjet. Madje mendoj se nuk do të kishte lejuar as nazizmin me shkrimin: Zoti është me ne në rripat e SS”, tregon Onfray.

ALEATË PËR MIRËSINË

Janë mendime të ngjashme me atë të filozofit gnostik anglez, Bertrand Russell (1872-1970), që tregojnë një limit të mundur të vlerave fetare. Por ndoshta sot me njohjen e limiteve reciproke është e mundur madje edhe një aleancë mes ateistëve dhe besimtarëve. “Në fund, thotë Bodei, vetëm besimi në mundësitë e tua- nuk ka rëndësi nëse beson apo jo- mund ta shpëtojë njeriun në këtë jetë”. Historiani francez, George Minois, shkon deri aty sa thotë: “Ateizmi dhe besimi fetar kanë diçka të përbashkët: të bëjnë ta mendosh botën në një mënyrë të tillë se çfarë është e nevojshme për të eliminuar vuajtjet”. Edhe pse siç shpjegon filozofi Gulio Giorello: “Solidariteti është një vlerë thelbësore. Nuk përfshin një princip hyjnor, por as nuk e përjashton. Është i gatshëm të përhapet mes anëtarëve të çfarëdo kishe, pavarësisht se respektojnë ndryshimet në praktikë më parë se në teori”. Një aleancë kjo, që duket se ka gjetur vend në kishën e e kardinalit Maria Martini, sipas të cilit “ateistët e mirë dhe korrektë shkojnë në parajsë”.

SHKENCA NUK ARRIN TË SHPJEGOJË GJITHÇKA

Po shkenca është vërtet në gjendje t‘u japë përgjigje të gjitha pyetjeve që vetëm pak vite më parë mund t‘u përgjigjej vetëm feja? Në fakt, nëse kërkimet e shumë kozmologëve dhe evolucionistëve kanë sqaruar shumë mistere mbi universin dhe jetën, sektorë të tjerë kanë hapur mistere të reja.

PARADOKSET

Kërkimet e shumta të shkencëtarëve të ndryshëm treguan se në botën e grimcave subatomike vlejnë ligje shumë të ndryshme. U zbulua se dy të vërteta kontradiktore në “botën e vogël” mund të jetë të dyja të vërteta. Me pak fjalë, aty asgjë nuk është e parashikueshme. Dhe për shkak të kësaj paparashikueshmërie edhe në universin “normal” rruga e ngjarjeve është e paparashikueshme. Edhe për këtë arsye ateizmi klasik, i shpërndarë tradicionalisht mes shkencëtarëve, duket se po i lë vend një pozicioni më gnostik. Në praktikë shkenca nuk është në gjendje të shpjegojë gjithçka.

 ATEIZMI

Termi ateizëm vjen nga greqishtja e lashtë “atheos”, ku “a = pa” dhe “theos = zot”, me kuptimin “pa zot”, “pa perëndi”. Si kuptim origjinar termi përkufizohej si mospranim i zotave të një qyteti, mosbindja ndaj zotave të një qyteti, mospasja e një zoti. Nëvazhdim do të përdorej nga paganët kundër kristianëve dhe anasjelltas, meqënëse për secilën palë mosbesimi i palës tjetër ndaj zotave të palës akuzuese (ndonëse kishin natyrë të ndryshme) konsiderohej si ateizëm. Ateizmi ishte shkalla më e lartë e mosbindjes ndaj ligjeve fetare apo besimit në zota të caktuar. Shërbente si fjalë përbuzëse ndaj personit apo qëndrimit përkatës që binte në kundërshtim me fenë apo adhurimin a pranimin e hyjnive të qytetit për të cilin bëhej fjalë. Me kalimin e kohës termi i është nënshtruar një saktësimi dhe përcaktimi më të qartë nga ana kuptimore deri në ditët tona duke marrë dhe ngjyrim krejt tjetër nga përdorimi i vjetër.

Në kuptimin bashkëkohor termi ateizëm si qëndrim dhe si pikëpamje filozofike do të thotë tashmë mosteizëm, të mosqenit teist, të mosqenit besimtar, të mospasurit besim në ato çfarë beson një teist, që jo përjashtimisht, por të paktën tradicionalisht, për kontinentin evropian: të mosbesuarit në “zotin” monoteist të feve të Lindjes së Afërme e të Mesme; Kjo sepse vetë qëndrimi varet thelbësisht nga përkufizimi që teisti i jep fjalës “zot”, një përkufizim që buron nga fetë në fjalë dhe deri më sot nuk qëndron në logjikë.

“Jam ateist” përmbledh në radhë të parë frazën “nuk jam teist” pasi qëndrimi është mohues i pohimeve teologjike dhe së dyti frazën “nuk besoj në ekzistencën e “zotit””, duke përfshirë në të të gjithë ata që nuk kanë besim në asnjë “zot”, apo në asnjë fuqi “mbinatyrore”. Dallimi i bërë këtu, në ndryshim nga kuptimi historik që i është dhënë nga fetarët, është se ateizmi përfshin gjithçka që nuk është teizëm dhe si e tillë gjendja nuk lë mundësi të tjera zgjedhjeje veç teizmit, apo ateizmit, pasi është një rast pyetjeje me përgjigje po ose jo. Shkurtimisht, pra, me përkufizim, nëse nuk je teist, je ateist; nëse nuk je besimtar, je mosbesimtar.

Një keqkuptim që është kryer në përcaktimin e ateizmit për disa shekuj me radhë është ai se ateizëm do të thotë “besimi se nuk ka zot”. Kjo kryhej në lidhje me atë kategori të ateistëve që pohojnë hapur se “zoti” nuk ekziston, në dallim nga pjesa që thjesht nuk beson në “zot” e që nuk niset të pohojë asgjë në lidhje me “zotin”. Ndërsa është e diskutueshme nëse pohimi se “zoti” nuk ekziston është shprehje besimi ose jo, reduktimi i ateizmit në thjesht një pjesë të ateizmit teorik (eksplicit, pozitiv) nuk e paraqet të plotë qëndrimin ateist, ndaj dhe shihet në çdo rast si shtrembërim i qëllimshëm. Ateizmi si qëndrim gjithëpërfshirës nuk thotë “besoj se nuk”, por “nuk besoj se”, një dallim thelbësor pasi i dyti e përfshin të parin, por nuk barazon me të dhe nuk vlen anasjelltas.

Dy kategoritë kryesore të ateizmit janë ateizmi praktik (implicit, negativ) dhe ateizmi teorik (eksplicit, pozitiv).

Ateizmi praktik është ai qëndrim apo mënyrë jetese ku “zoti”, besimi në “zot”, apo çështjet rreth fesë, apo “zotit”, nuk përfillen, nuk llogariten e nuk merren fare parasysh në asnjë instancë të jetës së përditshme të dikujt, nuk prekin asnjë veprimtari të njeriut a jetës së tij, pa qenë këtu e nevojshme që të kryhet ndonjë pohim rreth “zotit” apo fesë, ndaj dhe ka karakter të nënkuptuar e të pashprehur drejtpërdrejt (implicit).

Ateizmi teorik është ai qëndrim dhe ecuri ku “zoti” apo feja hetohen imtas në aspektin teorik dhe rrëzohen shprehimisht duke iu nënshtruar zbërthimit të rreptë logjik. Ky lloj ateizmi është i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë (eksplicite) dhe nis filologjikisht që në lashtësi me Epikurin, Demokritin, Anaksagorën, Stratonin, Protagorën dhe vazhdon deri në ditët tona me një sërë mendimtarësh të tjerë si F. Niçe, D. Hjum, B. Rasëll, Xh. Smith, R. Doukins, etj.

ATEIZMI AGNOSTIK DHE TEIZMI AGNOSTIK

Agnosticizmi si term buron prej trajtës greke “a = pa” dhe “gnosticizëm = dijshmëri” ose “gnosis = dije”, në zbërthim kuptimor: mos-dijshmëri, të mospasurit dije. Kjo mosdije: 1. përqendrohet rreth disa pikëpamjeve teologjike dhe metafizike si “mbinatyra, zoti, etj.” 2. përbën një qëndrim në njohshmërinë e subjektit dhe nuk merr pozicion rreth besimit ose jo në këtë subjekt.

Agnosticizmi pohon se subjektet teologjiko-metafizike në fjalë janë të panjohura dhe diku dhe të panjohshme për njeriun, ndaj dhe ai nuk e shqetëson veten me dijen rreth tyre, duke pezulluar përfundimisht gjykimin për kuptimin a vërtetësinë e këtyre subjekteve.

Si qëndrim rreth njohshmërisë së subjekteve teologjike, agnosticizmi përmbahet në të dy qëndrimet rreth besimit në “zot”, pra, dhe në ateizëm (mosbesim) dhe në teizëm (besim).

Ateizmi agnostik nuk di asgjë rreth “zotit”, “mbinatyrës” dhe subjekteve të tilla relevante për termin dhe po ashtu nuk beson në “zot”, apo në “mbinatyrë”, duke u përfshirë natyrshëm në kategorinë e gjerë të ateizmit praktik a implicit.

Teizmi agnostik gjithashtu nuk di asgjë rreth “zotit”, “mbinatyrës”, etj. duke pohuar për më tej se këto subjekte janë të panjohshme për mendjen e njeriut, por sakaq ky qëndrim pohon besim në “zot” dhe në “mbinatyrë” ndaj dhe përfshihet në teizëm.

ANTITEIZMI

Antiteizmi është kundërshtimi i vendosur i teizmit, dmth. i besimit në “zot”. Dallimi kryesor që lejon ky term nga ateizmi si tërësi është se antiteizmi është ajo pjesë e të ateizmit që jo thjesht nuk beson në “zot” a “zota”, por që për më tej e kundërshton apo i kundërvihet gjallërisht këtij besimi.

Antiteizmi është mbiquajtur historikisht dhe ateizëm militant si promotor aktiv i ateizmit dhe armik i shpallur i fesë.

DY FJALË RRETH AGNOSTICIZMIT

Rreth agnosticizmit si qëndrim filozofik ka ndodhur një keqkuptim i rëndësishëm, me sa duket si pasojë e nevojës së një pjese njerëzish për t’iu bashkëngjitur një pozicioni që në njërën anë duhet të të nxjerrë jashtë fesë dhe besimit fetar, por që nga ana tjetër nuk duhet të mbajë as “njollën” e perceptuar të ateizmit (meqenëse, në pjesë të caktuara shoqërish të caktuara, ateizmi ende konsiderohet si ndonjëfarë njolle). Agnosticizmi, i keqkuptuar, është zgjedhur si njëfarë rruge e mesme midis teizmit dhe ateizmit, ndërkohë që në asnjë rast nuk ka adresuar e nuk e adreson çështjen për të cilën përdoret, pasi merret me njohjen apo njohshmërinë e “zotit” dhe subjektesh të tjera teologjike dhe jo me besimin në “zot”.

Çështja që trajtohet në vijim është se çfarë do të thotë agnosticizëm, cilën fushë të realitetit apo të metafizikës prek agnosticizmi dhe çfarë lidhje ka me teizmin dhe ateizmin.

Së pari, burimisht agnosticizmi nuk është pozicion mbi ekzistencën e “zotit” apo çfarëdo teze tjetër fantastike, por metodë për të arritur përfundime në arsyetim. Biologu dhe anatomisti Tomas Hakslej (1825-1895), në esenë e tij “Agnosticizmi”, si krijues i termit, e përkufizon atë kështu:

“Agnosticizmi nuk është besim, por metodë, thelbi i të cilës qëndron në zbatimin e rreptë të një parimi të vetëm. Pozitivisht, parimi mund të shprehet në çështjet e arsyetimit si: ndiq arsyen tënde deri atje ku ajo mund të të shpjerë, pa marrë asgjë tjetër parasysh. Dhe negativisht, në çështjet e arsyetimit si: mos pretendo se çështjet janë të sigurta nëse ato nuk janë të provuara apo të provueshme.”

Krijuesi i termit e përcakton agnosticizmin si metodë njohjeje dhe jo si qëndrim filozofik. Shndërrimi i parë kuptimor që ndodhi me kalimin e kohës në lidhje me subjektet teologjike ishte marrja e trajtës:

“Agnosticizmi është pozicioni që pohon se “zoti”, “mbinatyra”, etj. janë të panjohura dhe të panjohshme për mendjen e njeriut.”

Në këtë rast agnosticizmi ka thjesht kuptimet: mosnjohje, mosdije, por dhe pamundësi njohjeje apo dijeje; Nuk është më metodë njohjeje, por qëndrim rreth çështjes së të pasurit dijeni rreth “zotit” a “mbinatyrës”. Duke qenë se me kalimin e kohës termi nisi të përdoret së gjeri në këtë kuptim, atëherë agnosticizmi në ditët e sotme përcakton mosnjohjen dhe mosnjohshmërinë e një subjekti të caktuar, e duke adresuar çështjet metafizike, mosnjohjen dhe mosnjohshmërinë e subjekteve teologjike si “zoti”, apo “mbinatyra”, etj.

Ajo që bie menjëherë në sy në këto përqasje të termit është se, qoftë si metodë, qoftë si qëndrim, agnosticizmi në asnjë rast nuk i përgjigjet pyetjes “A beson në “zot”?”, e cila logjikisht merr vetëm dy përgjigje të mundshme: 1) besoj (teizëm); dhe në çdo rast tjetër: 2) nuk besoj (ateizëm).

Në shtrembërimin vulgar, që është dhe rasti i tretë dhe kryekëput i gabuari i agnosticizmit, termi është kuptuar si ndonjë qëndrim i mesëm mes besimit dhe mosbesimit, sikur pyetjes në fjalë agnosticizmi i jep përgjigjen “Nuk e di!” dhe me anë të kësaj gjen mesin… Përveç të qenit thjesht një keqkuptim kyç i domethënies së agnosticizmit, dhe vetë një pohim “Nuk e di!” ndaj pyetjes “A beson në “zot”?” përkthehet detyrimisht si “Nuk besoj!”, gjë që në fund të fundit do të thotë ateizëm! Çështja është se në fakt nuk ka “mes” në përgjigjet e mundshme të pyetjes “A beson në “zot”?”

Është e pamundur të thuhet se edhe beson, edhe nuk beson në “zot”. Është për më tej falsitet logjik të pohohet se “besohet pak” apo “besohet shumë” në “zot”, pasi situata nuk merr dot vlerë sasiore. Dhe ndonëse në gjuhën e përditshme mund të ketë njerëz që shprehen në formë të tillë, pohimi në të dy rastet e fundit përmban vetëm një kuptim: “besoj në “zot””.

Në çdo rast, pra, agnostikut të mirëfilltë ashtu si dhe agnostikut vulgar iu mbetet ende t’i përgjigjen pyetjes “A beson në “zot”?”, pasi mosdija, apo pamundësia e dijes rreth “zotit” apo “mbinatyrës” nuk e adreson askund këtë pyetje. Aq më tepër kur kuptohet se nëse dikush do tëdinte rreth “zotit” apo “mbinatyrës” atëherë ky person nuk do të kishte më nevojë të besonte e kësisoj do të përfshihej në kuadrin e mosbesuesve, pra, të ateistëve.

Agnosticizmi, si adresues i njohjes apo njohshmërisë së subjekteve teologjike a metafizike, shtrihet qartë dhe në teizëm dhe në ateizëm. Si ilustrim i kësaj, në çështjen e besimit në “zot” ka ateistë agnostikë dhe teistë agnostikë. Ajo që është e përbashkët për të dy këto palë është se pohojnë se nuk dinë asgjë rreth “zotit” apo “mbinatyrës”, dhe se “zoti” apo “mbinatyra”, për më tepër janë të panjohshme nga njeriu. Prej këtu njëra palë niset të besojë në “zot” dhe “mbinatyrë”, dhe kjo është pala e teistëve agnostikë, dhe pala tjetër nuk beson në “zot” apo “mbinatyrë”, dhe kjo është pala e ateistëve agnostikë.

Sërish të diturit rreth “zotit” apo “mbinatyrës” nuk e cek aspak çështjen e besimit rreth “zotit” apo “mbinatyrës” e ato mbeten gjithnjë dy çështje krejt të ndryshme.

Përgjithësimi që buron prej këtu është se në fakt të gjithë teistët janë agnostikë, duke qenë se nuk dinë asgjë rreth “zotit” apo “mbinatyrës” dhe po ashtu janë dhe një pjesë e konsiderueshme e ateistëve, të cilëve nuk iu intereson fare feja, besimi, “zoti” a cilado çështje fetare. Agnostike nuk është vetëm ajo pjesë e ateizmit teorik (eksplicit, pozitiv) që pohon se duke qenë pa kuptim, pa përkufizim, të paperceptueshme dhe (në analizë librash të shenjtë) me veti vetëkundërshtuese, ato çka nënkuptojnë termat “zot” dhe “mbinatyrë” nuk ekzistojnë në realitet, pasi realiteti është i njohshëm, i perceptueshëm dhe nuk lejon ekzistencën e subjekteve me veti absurde, vetëkundërshtuese përjashtuese.

“Vepruesi absolut në gjithësi është Ai, Allahu, asgjë nuk të ndodh ty pa lejen e Tij, nuk ka ndonjë fuqi më të madhe se sa dëshira e Zotit prandaj qetësohu“

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: ,
Të fundit