Ja nisën me “bisedime teknike”, vazhduan me ato politike, territoret nuk do të ndaheshin!…


E premte, 6 Dhjetor 2013

Prishtinë, 6 dhjetor – Në vitin 2011 Kosova e Serbia nisën një cikël të ri të bisedimeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Një kapitull i ri do hapej në Bruksel, ku do të përballeshin kryenegociatorja Edita Tahiri dhe negociatori serb, Borko Stefanoviq.

Sipas palës kosovare, përfshirja në këtë proces nuk do të kalonte temat teknike. Qeveria e Kosovës me këmbëngulje mundohej t’i siguronte qytetarët se bisedimet do të ishin vetëm të nivelit teknik, në të cilat nuk do të diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës. Edhe kryeministri Thaçi para dy vjetësh insistonte në faktin se do të diskutoheshin vetëm çështje praktike, raporton KTV-ja.

Pas çdo rundi të bisedimeve palët kanë interpretuar në forma të ndryshme marrëveshjet, megjithatë pala kosovare ishte shumë pak transparente me opinionin publik. Ka kaluar kohë e gjatë prej se kryeministri Thaçi ka dalë në konferencë për media pas ndonjë rundi të bisedimeve. Vazhdimisht u tha se nuk do të dilet përtej ligjeve dhe Kushtetutës së vendit dhe se nuk do të negociohet për çështje të brendshme me Serbinë, por në realitet e kundërta ndodhi.

Thaçi e Daçiq më 5 dhjetor biseduan për policinë dhe për krijimin e një asociacioni të ri të komunave serbe. Në kuadër të marrëveshjes së 19 prillit, të arritur mes palëve në Bruksel, Qeveria u mor vesh të lejojë edhe garimin në zgjedhje të një subjekti politik të themeluar nga Serbia, e që është Lista “Srpska”, që fitoi në nëntë komuna.

Leave a Reply

Të fundit