Jablanoviq: E dhashë betimin në Kuvend të Kosovës


E mërkurë, 10 Dhjetor 2014

Kreu i Listës Serbe dhe ministri i zgjedhur për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviq ka qenë i gatshëm sot të flas gjerë e gjatë për radio Dukagjinin rreth zhvillimeve të djeshme, por, edhe për veprimet personale që ndërlidhen me postin e tij në Qeverinë e re të Kosovës.

Jablanoviq duke folur për asociacionin e komunave serbe, tha se nuk është biseduar fare për kompetencat, por, sipas tij ky asociacion, apo komunat, pjesë të këtij asociacioni, duhet të kenë disa kompetenca të veçanta.

Në rast se do të kenë privilegje, në krahasim me komunat tjera, Jablanoviq tha se ato do t’i gëzojnë jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët dhe komunitetet tjera.

Duke u ndalur tek zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe i pyetur se a e ka dhënë dhe nënshkruar betimin, Jablanoviq u përgjigj shkurt: Po.

Ai konfirmoi se ka dhënë edhe dorëheqje në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Serbisë.

“Dëgjoni, ligjet ekzistuese rreth funksionimit të Kuvendit të Republikës së Serbisë dhe ato ekzistuese këtu në Kosovë nuk lejojnë që një person, në të njëjtën kohë të jetë pjesë e pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, gjë që është krejtësisht normale kudo në botë, kështu që unë dorëheqjen e kam konvertuar disa orë para se të hyj në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Dorëheqjen ia kam dorëzuar oficerit ndërlidhës të Qeverisë në Prishtinë, Dejan Paviçeviq”.

Jablanoviqi pranoi se drejtori i Zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq ka qenë dje në Prishtinë, por sipas tij, nuk ka qenë në Kuvend.

“Zotëri Marko Gjuriq nuk ka qenë dje në kuvend dhe kjo është një dezinformatë e rëndomtë mediale. Ai ka ardhur në Prishtinë dhe ne jemi takuar në ndërtesën e BE-së, ku janë zyrat e oficerit ndërlidhës, Dejan Paviçeviq. Ne kemi pasur konsultime intensive në 72 orët e fundit, për arsyen e thjeshtë se projekt marrëveshja e parë e koalicionit në mes të Listës serbe, LDK-së dhe PDK-së ka qenë gjerë e formuluar, kështu që pala jonë ka insistuar në formulimin detaj të kësaj marrëveshje, gjë që solli në një moment të largimit nga seanca dhe shtyrjen e saj”, tha ai.

Etiketa: ,
Të fundit