Jahjaga: Duhet ta përmbyllim konfliktin me Serbinë!?


E hënë, 30 Dhjetor 2013

Prishtinë, 30 dhjetor – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë hapën rrugën për të tejkaluar gjendjen e konfliktit të ngrirë në veriun e Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit të Zërit të Amerikës në Prishtinë, Besim Abazi, presidentja Jahjaga flet edhe për sfidat tjera të Kosovës, përfshirë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Kosova po mbyll një vit që u karakterizua nga bisedimet me Serbinë dhe zgjedhjet e para lokale që u mbajtën në tërë Kosovën. Çfarë i sollën Kosovës këto dy procese?

Atifete Jahjaga: Kosova po e përmbyllë një vit dinamik në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të zhvillimit të saj. Angazhimi ynë i përbashkët këtë vit ishte të forcojmë më tutje subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në aspektin bilateral përmes njohjes së pavarësisë së saj, dhe aspektin multilateral, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtar. Një energji e madhe u kanalizua në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj të Serbisë dhe në arritjen e zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit që synon të rregullojë marrëdhëniet e komplikuara mes dy shteteve tona, që është pengesë e dukshme edhe në rrugën individuale të shteteve tona drejt anëtarësimit në BE, por edhe ushqen skepticizmin e disa shteteve ndaj Republikës së Kosovës. Këtë vit, ne po ashtu bëmë përparim sa i përket krijimit të kushteve për organizimin e zgjedhjeve të para në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, zgjedhjeve lokale, përmes të cilave krijuam kushtet për integrimin e komunitetit serb në strukturat tona institucionale dhe shoqërore. Dhe përmes këtij procesi arritëm të ruajmë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial dhe arritëm të krijojmë kushtet për të hapur një dialog të mirëfilltë brenda Kosovës me komunitetin serb që jeton në katër komunat veriore të Kosovës duke ju ofruar mundësinë që të jenë pjesëmarrës në ndërtimin dhe forcimin e shtetësisë tonë. Duhet të jemi pragmatik. Beogradi, përmes strukturave ilegale në komunat veriore të Kosovës, ka mbajtur peng që një dekadë e gjysmë qytetarët serbë dhe zhvillimin në atë pjesë të vendit. Veprimet e Beogradit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm stabilitetit të Kosovës duke e mbajtur në gjendje tensioni.

ZA: Zonja Presidente, Kosova hapi negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbia tashmë mori datën për fillimin e negociatave për anëtarësim. A nuk e bën kjo Serbinë fituese në këtë proces?

Jahjaga: Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e konsideroj si të vetmen mënyrë për të zgjidhur problemet e mbetura mes dy shteteve tona dhe assesi si një lojë me fitues dhe humbës. Serbia mund të ketë fituar datë, por ajo me procesin e dialogut dhe marrëveshjen me Kosovën është kushtëzuar në çdo hap të rrugëtimit të saj drejt BE-së. Sa shpejt Serbia do të mbërrijë në BE do të varet nga zbatimi i marrëveshjes dhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kapitulli 35 i negociatave me BE-në parasheh nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore mes Serbisë dhe Kosovës që e shpallë këtë normalizim të përfunduar. Dialogu është e vetmja mundësi për dy vendet tona që t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe që kjo e arritur t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve si një parakusht për anëtarësim në BE. Duhet ta kuptojmë që si rajon duhet të angazhohemi që të dëshmojmë se kemi një pjekuri politike që na ndanë nga e kaluara jonë e hidhur. Se mësimet janë mësuar dhe vizioni për anëtarësim në BE është përvetësuar unanimisht.

ZA: A nuk ishte i ngutshëm vendimi për Serbinë nga ana e BE-së?

Jahjaga: Nuk do t’i komentoj vendimet e BE-së. Por do të shfrytëzoj rastin të them se ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë garanci nga SHBA dhe BE – si ndërmjetësues dhe mbështetës të procesit të dialogut – për zbatimin e përpiktë të marrëveshjes nga Serbia. Nuk do të ketë rrugë të shkurtër dhe as përparim drejt integrimit pa kryer obligimet ndaj Kosovës, dhe kjo është tashmë e qartë.

ZA: Ju thoni se zgjedhjet komunale çuan në integrim të veriut të Kosovës, por kritikët thonë se realisht atje është funksionalizuar një entitet i veçantë serb tashmë i njohur edhe ndërkombëtarisht. Sa mund ta dëmtojë funksionimin e Kosovës si njësi unike bashkësia e komunave serbe?

Jahjaga: Zgjedhjet komunale të 3 nëntorit ishin historike për faktin se për herë të parë janë mbajtur në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat në veri të territorit të shtetit tonë, që qytetarët serbë në atë pjesë të vendit kanë pasur mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim të cilët do të punojnë konform kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në atë pjesë të shtetit tonë dhe që njëherë e përgjithmonë t’u kthejnë shpinën strukturave të financuara nga ana e Serbisë, që kanë mbajtur peng jetën e qytetarëve, që kanë mbajtur peng procesit të integrimit të mirëfilltë të këtyre qytetarëve në jetën institucionale dhe shoqërore të shtetit tonë. Ndërsa sa i përket, bashkësisë së komunave serbe, ajo do të krijohet në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nuk do ta ketë asnjë kompetencë më pak e asnjë më shumë. Ne kemi pasur nevojë të tejkalojmë këtë gjendje të konfliktit të ngrirë që ka dominuar që nga viti 1999 në këtë pjesë të territorit të shtetit tonë. Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura dhe i ka kontribuar zgjidhjes së problemeve në mes të dyja shteteve tona, i ka kontribuuar stabilitetit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve tona dhe ka hapur një perspektivë krejtësisht tjetër për të gjitha vendet e rajonit. Është e vetmja mënyrë se si të detyrohet Serbia për të përmbushur të gjitha obligimet e saj karshi Kosovës sa i përket shpërbërjes së strukturave ilegale dhe paralele dhe mos luajtjen e rolit të saj destruktiv që ka penguar integrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë në atë pjesë të vendit. Ne duhet të kemi guxim, në duhet të kemi kurajo që t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura që i kemi trashëguar qoftë nga lufta qoftë nga administrimi ndërkombëtar i Kosovës. Konflikti duhet të përfundojë sa më parë që është e mundur me shtetin fqinj të Serbisë dhe duhet të përmbyllet. Në duhet të orientohemi drejt stabilizimit të shtetit tonë, në duhet të orientohemi drejt zhvillimit të shtetit tonë dhe gjithsesi që këtë proces e ndihmon edhe procesi i integrimit në jetën institucionale dhe shoqërore të të gjithë qytetarëve të të gjitha komuniteteve në gjithë territorin e shtetit tonë. Konsideroj që një qasje e tillë siguron integritetin territorial të Kosovës dhe funksionimin e mbarë të saj. Dhe ky stabilitet i brendshëm na garanton një subjektivitet më të madh në arenën ndërkombëtare.

ZA: Kosova ndodhet tani para reformës zgjedhore pa të cilën është thënë se nuk mund të ketë zgjedhje të përgjithshme. Në kuadër të saj aktualisht ka shume debate rreth vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj çështjeje?

Jahjaga: Çështja e reformës zgjedhore është duke u diskutuar nga partitë politike dhe unë i përgëzoj udhëheqësit e këtyre subjekteve për përafrimin e qëndrimeve për të konsoliduar reformën zgjedhore. Është koha e fundit që për këtë reformë të arrihet një konsensus, i cili do të shërbej si bazë për zgjedhje të rregullta dhe të mirëfillta në Kosovë. E kam parasysh që në këtë diskutim një vend qendror zë edhe çështja e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë dhe konsideroj se i tërë spektri politik kosovar do të arrijë të bëjë një vlerësim se a është e nevojshme të vazhdojë kjo praktikë. Konsideroj se pyetja të cilës duhet t’i gjejmë përgjigje është se a kemi arritur për këto 6 vjet të ekzistimit tonë si shtet të përmbushim synimin tonë kushtetues për të krijuar shtet gjithëpërfshirës?

ZA: Në fjalimin tuaj vjetor në Parlament, ju vutë theksin tek shqetësimet që nxitë përfshirja e shqiptarëve në luftën në Siri. Sa janë serioze këto shqetësime dhe çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për t’u përballur me to?

Jahjaga: Fillimisht, si institucione dhe si shoqëri jemi mobilizuar shumë shpejt për të dënuar çdo akt, qoftë edhe verbal, të ngjyrosur me ekstremizëm fetar. Ky ka qenë një mesazh i qartë, ka qenë një mesash i domosdoshëm, ka qenë një mesazh i nevojshëm që Kosova nuk do të koketojë në asnjë rrethanë me këto trende. Dhe se ato do të mbesin të papranueshme për shtetin tonë dhe për shoqërinë që kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë ta ndërtojmë dhe se shoqëria jonë është një shoqëri që e përjashton dhunën për të arritur qëllime politike. Institucionet tona janë profesionale dhe kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe të ngushtë me të gjithë homologët e tyre, me vendet mike që shumë afër i përcjellin dhe monitorojnë këto kërcënime dhe këto aktivitete. Duhet të them se janë shqetësuese raportet që flasin për aderimin e qytetarëve tanë në luftën në Siri. Ata nuk i shërbejnë Kosovës, përkundrazi, janë duke e dëmtuar në masë imazhin e shtetit tonë të ri, të Republikës së Kosovës. Ne si shtet jemi rreshtuar drejt dhe jemi rreshtuar me aleatët tonë strategjik dhe kemi shtuar zërin tonë në përpjekjet diplomatike dhe ushtarake që në Siri të gjendet një zgjidhje që ndalon dhunën e tmerrshme që po mbretëron tash 2 vjet. E kam thënë dhe do ta them prap së nuk do të lejojmë që Kosova të bëhet vend transit e as strehimore dhe strehim i ekstremizmit.

ZA: Zonja Presidente, ju drejtoni Këshillin Kombëtar kundër korrupsionit. Në takimin e tij të fundit ju thatë se korrupsioni po e ha ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës. Ku po ngec lufta kundër kësaj dukurie?

Jahjaga: Deri më tani kemi investuar shumë kohë dhe mund në krijimin e mekanizmave dhe institucioneve të pavarura për një luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi identifikuar për këto vite që ekziston këshilli mangësi si në aspektin e legjislacionit dhe fusha të tjera në mënyrë që të kemi institucione që i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për një luftë sa më efikase kundër këtyre dukurive. Duhet të them se kemi pasur suksese të konsiderueshme brenda këtyre dy viteve sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, kemi ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që këtë luftë ta shndërrojmë në prioritet të përditshëm të punës sonë. Unë kam thënë dhe jam shumë e prerë në këtë qëndrim se do të jem e pa kompromis në luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Konsideroj që tashmë kemi krijuar edhe institucionet e nevojshme edhe legjislacionin adekuat për ta mposhtur fenomenin e korrupsionit, i cili është bërë pengesë për zhvillimin tonë ekonomik dhe forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Gjatë punës së Këshillit, në të cilin njëkohësisht vlerësojmë përpjekjet e këtyre institucioneve për të përmbushur mandatin e tyre, kam identifikuar katër sfida kryesore në të cilat na duhet të angazhohemi më shumë: ndërtimin e rasteve dhe qëndrueshmërinë e tyre në gjykatë, mbikëqyrjen e mekanizmave të rrezikuar nga korrupsioni dhe llogaridhënien, zgjidhjen e rasteve të grumbulluara me vite, dhe përmirësimin e plasimit të rezultateve konkrete Jam e bindur se ne e kemi infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe administrative por tani na duhet vullneti dhe guximi ta vëmë atë në praktikë.

Etiketa: ,
Të fundit