E enjte, 11 Shtator 2014
Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se duhet krijuar sa më shpejtë institucionet e vendit, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ajo tha se krijimi i shpejtë i institucioneve do të garantojë funksionimin demokratik të shtetit dhe do të tregojë aftësinë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë për të gjetur vet zgjidhjen.
Jahjaga tha se garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve nuk nënkupton imponimin e zgjidhjeve nga një institucion tjetër e as më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jo kushtetuese në vendin tonë.
Sipas saj, zgjidhja duhet të gjenden në mesin e atyre që kanë marrë votën e popullit dhe që kanë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre.
Ja një pjesëe fjalimit të saj në takimin e Këshillit Konsultativ të Komuniteteve.
“Po hyjmë në një periudhë të rëndësishme dhe vendimtare për shtetin tonë të përbashkët. Në një fazë kur duhet të tregojmë pjekurinë tonë politike dhe kulturën demokratike dhe kur duhet të avancojmë proceset tona të brendshme si dhe në raport
me bashkësinë ndërkombëtare.
Krijimi shpejt i institucioneve tona do të garantojë funksionimin demokratik të shtetit, do të tregojë aftësinë tonë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë tonë për të gjetur vetë zgjidhjet që do të çojnë drejt përmbushjes së pritjeve të
qytetarëve tanë për një shtet të përparuar, të përgjegjshëm dhe të respektuar si dhe pjesë të familjes euroatlantike.
Garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve, nuk nënkupton imponimin e zgjidhjev nga një institucion tjetër dhe aq më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jo kushtetuese në vendin tonë. Kosova është demokraci parlamentare dhe
përgjegjësitë e secilit institucion janë të ndara dhe të përcaktuara me Kushtetutë. Po aq sa janë të përcaktuara edhe mandatet dhe kohëzgjatja e secilit prej institucioneve! Por ne do t’i bashkërendojmë veprimet tona për të mirën e vendit,
duke ruajtur autonominë e secilit prej institucioneve tona, dhe duke garantuar funksionimin më të mirë të tyre.
Ne duhet të mësohemi të jemi përgjegjës, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës përpara qytetarëve tanë. Duhet të mësohemi se Kushtetuta dhe ligjet e vendit janë ato që e bëjnë shtetin dhe ne të gjithë duhet ta kuptojmë se demokracia ka rregulla që duhet të respektohen. Prandaj, zgjidhjet gjenden në mesin e atyre që kanë marrë votën e popullit, në mesin e atyre që kanë përgjegjësi përpara votuesve të tyre, përpara qytetarëve të Kosovës.
Sepse ka ardhur koha që të shohim përpara dhe të kujdesemi më shumë për mirëqenien e qytetarëve tanë: për arsimimin, për shëndetësinë, për mundësitë e reja për punësim, për të drejtat e tyre njerëzore, për liritë e tyre, për procesin e bashkëpunimit ndërmjet tyre, për integritetin territorial të vendit, për konsolidimin ndërkombëtar të tij. Dhe, prandaj na duhet të vendosim fillimisht bazat e fuqishme të një shteti të së drejtës, ku ligjet tona do të respektohen fillimisht nga ne, udhëheqës të institucioneve, nga ata që janë zgjedhur me votën e qytetarëve, për të përfunduar
deri tek vetë qytetarët.
Përgjegjësia jonë, si edhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nën betimin “për të përfaqësuar me dinjitet popullin dhe për të punuar në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, shtrihet më gjerë duke provuar për të gjetur zgjidhjet
brenda institucionit që përfaqësojnë dhe në kuadër të Kushtetutës. Dhe natyrisht duhet të mësohemi se vetë i gjejmë zgjidhjet, pa kërkuar ndihmën nga jashtë, sepse zgjidhjet na përkasin neve, shtetit tonë dhe të ardhmes sonë.
Sukseset tona janë të përbashkëta dhe ato duhet të shërbejnë si shembull se ne jemi duke ndërtuar vlera dhe se shteti ndërtohet mbi parime të barazisë dhe mosdiskriminimit|, ka thënë Jahjaga.
Etiketa: Atifete Jahjaga, Kosovë, presidentja